Më 2 mars, në ora 12:05, në polici ishte pranuar një denoncim për përleshje mes bashkëshortëve. Zyrtarët policorë kishin arritur në adresë pas 15 minutave dhe kishin biseduar me gruan, e cila kishte deklaruar se nuk kishte pasur kontakt fizik me bashkëshortin dhe se bëhej fjalë për një keqkuptim. Ajo nuk kishte kërkuar ndërhyrje të mëtejshme, duke theksuar se çështjen martesore po e zgjidhte përmes procedurës së divorcit, dhe kishte nënshkruar shënim zyrtar. Dy orë më vonë ndodhi ngjarja tragjike, shpjegon Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
“Nëna dhe fëmija në intervalin kohor para se të hidhen nga ballkoni, nga pjesa e brendshme janë mbyllur me çelës në banesë dhe person tjetër prezent në banesë, sipas informacioneve që kam, nuk ka pasur”, tha Pançe Toshkovski – Ministër i Punëve të Bdrendshme.
Sipas ministrit Toshkovski, bashkëshorti, Stojançe Jovanovski është arrestuar, nën dyshimin për kryerje të veprës penale, ndërsa shpjegoi se gjatë dy viteve të fundit ndaj tij janë ngritur dhjetë kallëzime penale që lidhen me vepra kundër pasurisë, krim me elemente dhune dhe tregti të paligjshme me drogë.
“Me urdhër verbal të prokurorit publik është arrestuar bashkëshorti, Stojançe Jovanovski, nën dyshimin për kryerje të veprës penale. Ai ndodhet në stacion policor, me të po punohet, po përpunohet i gjithë dokumantacioni dhe ndaj tij do të shqiptohet padi penale”, theksoi Pançe Toshkovski – Ministër i Punëve të Bdrendshme.
Nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit thonë se gjithashtu po hetohet nëse ka pasur denoncime për dhunë në familje nga viktima.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE:
“Gjatë ditës së djeshme është urdhëruar edhe obduksioni i viktimave. Në lidhje me procedurat e mëparshme, prokurori ka kërkuar raportim të detajuar nga MPB dhe nga Qendra për Punë Sociale me të gjitha denoncimet dhe ankesat e mundshme të viktimës, dhe gjithashtu do të urdhërojë kontroll të brendshëm të MPB-së për të hetuar mënyrën e trajtimit të këtyre denoncimeve”
Dje rreth orës 14:00 Ivana së bashku me fëmijën e saj 6-vjeçar ka rënë nga tarraca e banesës shumëkatësh në Karposh të Shkupit.
