Lëvizja “Sport Above Politics” ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Federatës Evropiane të Karatesë (EKF) për të mos lejuar sportistët e Kosovës të garojnë me simbolet e tyre kombëtare në Kampionatin Evropian për Kadetë, Juniorë dhe U21, të mbajtur në Limasol të Qipros. Përmes një deklarate zyrtare, kjo lëvizje e ka cilësuar situatën si diskriminim të papranueshëm ndaj atletëve kosovarë.

Në reagim thuhet se “është absolutisht e papranueshme që sportistëve të Kosovës nuk iu lejua të marrin pjesë me simbolet e tyre kombëtare”, duke shtuar se oferta për të garuar pa simbole nuk përbën zgjidhje të pranueshme, pasi “minon parimin e barazisë për të gjithë sportistët”. Sipas tyre, lejimi i pjesëmarrjes vetëm nën kushte të kufizuara “dërgon një mesazh të gabuar në mbarë botën e sportit”.

Lëvizja ka kundërshtuar edhe deklaratën e kryetarit të Komitetit Organizativ të EKF-së, Marton Falusi, i cili kishte theksuar se objektivi kryesor i federatës është të sigurojë pjesëmarrjen e garuesve sa herë që është e mundur. Në reagim kjo qasje cilësohet si “thelbësisht e padrejtë, e papranueshme dhe e gabuar”, duke theksuar se pjesëmarrja me njohje të plotë dhe me simbole kombëtare duhet të garantohet pa kompromis për të gjithë atletët.

Në deklaratë rikujtohet se Federata e Karatesë së Kosovës është anëtare e plotë e EKF-së dhe si e tillë sportistët e saj duhet të kenë të drejtën të garojnë nën identitetin e tyre kombëtar. “Sporti duhet të mbetet i lirë nga ndërhyrjet politike, pasi qëllimi i tij parësor është të nxisë respektin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë”, thuhet mes tjerash, ndërsa shtohet se kampionati do të duhej të ishte anuluar nëse nuk mund të garantoheshin të drejta të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit.

Në fund, “Sport Above Politics” i ka bërë thirrje Federatës Evropiane të Karatesë që të ndërmarrë veprime të menjëhershme për ta korrigjuar situatën dhe të sigurojë që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen, duke theksuar se sporti duhet të jetë një forcë bashkuese, mbi çdo ndikim politik.

The post ​Reagim i ashpër për Evropianin në Qipro: Kosovës iu mohua gara me simbole shtetërore appeared first on Alsat.