Pas ndërprerjes disaorëshe të energjisë elektrike në një pjesë të qendrës së Shkupit, ka reaguar edhe Qyteti i Shkupit, duke paralajmëruar masa konkrete për tejkalimin e problemit. Me urdhër të kryetarit të qytetit, shërbimet komunale do të përfshihen në aktivitetet për normalizimin sa më të shpejtë të gjendjes, edhe pse sanimi i defektit në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike nuk është në kompetencë të drejtpërdrejtë të tyre.

Për gati pesë orë, një pjesë e qendrës së kryeqytetit mbeti pa energji elektrike. Ndërprerja përfshiu disa institucione shtetërore, objekte banimi dhe afariste, mes tyre Gjykatën Administrative, objektet në afërsi të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Entin Shtetëror të Statistikave dhe Televizionin 21.

Problemi u shfaq në afërsi të Kuvendit, ku aktualisht po zhvillohen punime ndërtimore për ndërtimin e një hapësire të re parkimi.

Me urdhër të kryetarit të qytetit, ekipet e Qytetit të Shkupit do të angazhohen në koordinim me shërbimet kompetente dhe do të ofrojnë mbështetje për sanimin sa më të shpejtë të defektit dhe rikthimin e furnizimit me energji elektrike.

Njëkohësisht, gjatë ditës së nesërme, një ekip i posaçëm i Qytetit të Shkupit do të intervenojë në hapësirën prapa Kuvendit, ku do të vendoset ndriçim i ri rrugor, me qëllim që kjo pjesë e qendrës të ketë ndriçim të përshtatshëm dhe të përmirësohet siguria e qytetarëve.

Edhe pse problemi me energjinë elektrike nuk është në kompetencë të drejtpërdrejtë të Qytetit të Shkupit, shërbimet e qytetit do të ndihmojnë në tejkalimin sa më të shpejtë të tij, ndërsa problemin me ndriçimin rrugor do ta zgjidhin përmes ndërhyrjes së tyre.

Kjo është ndërprerja e dytë e tillë e energjisë elektrike në këtë zonë gjatë javëve të fundit, gjë që e thekson edhe më shumë nevojën për një zgjidhje afatgjatë dhe koordinim më të mirë gjatë realizimit të punimeve ndërtimore.

Shkaku i saktë i defektit dhe lidhja e mundshme me punimet ndërtimore ende duhet të konstatohen.

Me aktivitetet e paralajmëruara pritet të normalizohet më shpejt furnizimi me energji elektrike, si dhe të përmirësohet në mënyrë të qëndrueshme ndriçimi rrugor në këtë pjesë të qendrës së Shkupit.