Reagim nga familjar i dëshmorit të UÇK-së: Mos keqpërdorni emrat e dëshmorëve për politikë

Një reagim i ashpër ka ardhur sot nga Arben Sadiku, vëllai i dëshmorit të UÇK-së, Beqir Sadiku, pas konferencës për shtyp të mbajtur nga eksponentë të koalicionit VLEN në Komunën e Likovës.

Në reagimin e tij, Sadiku akuzon drejtuesit e këtij koalicioni për hipokrizi politike dhe përdorim të paturpshëm të figurave të dëshmorëve për qëllime elektorale.

“Kur kritikoni dikë, së pari pyetni veten: çfarë keni bërë ju për familjet e dëshmorëve? Po harroni se jeni tashmë 18 muaj në pushtet dhe nuk keni bërë asnjë punësim për familjarët e dëshmorëve. Përkundrazi, i keni larguar nga puna dhe nga komisionet, vetëm për t’ua vështirësuar jetën”, thekson Sadiku në reagimin e tij.

Në vijim, Sadiku tregon një rast personal, ku, sipas tij, është dëmtuar qëllimisht nga funksionarët e VLEN-it, vetëm pse nuk ishte pjesë e rrethit të tyre politik.

“Në vitin 2023, deputeti Elmi Aziri më kishte propozuar për një komision, që të më ndihmonte sadopak në periudhën më të vështirë të jetës sime. Në atë kohë, gruaja ime vuante nga kanceri, me vizita të përditshme në spitale dhe terapi të shtrenjta. Por ju, që sot shiteni si ‘mbrojtës të familjeve të dëshmorëve’, në vend që të ndihmonit, më hoqët edhe nga ai komision”, shkruan ai.

Ai shton se ky veprim ishte i qëllimshëm dhe i pamëshirshëm, me synim për ta përkeqësuar gjendjen e tij familjare.

“Unë ndoshta mund t’iu fal, por gruaja ime jo, sepse sot ajo nuk jeton më”, shprehet me emocion Sadiku.

Në reagim, Arben Sadiku kritikon ashpër eksponentët e VLEN-it që, sipas tij, kanë përdorur publikisht emrin e mbesës së tij – vajzës së dëshmorit Beqir Sadiku – për përfitime politike.

“Sot e keqpërdorët edhe emrin e vajzës së vëllait tim, dëshmorit Beqir Sadiku. Përderisa morët pozitat qeveritare, punësuat familjarët tuaj, por për 18 muaj nuk bëtë asgjë për të. Dhe sot, papritur, ju kujtohet se edhe ajo, si shumë fëmijë të tjerë të dëshmorëve, ka nevojë për punësim”, thekson ai.

Në fund të reagimit, Sadiku u dërgon një mesazh të qartë eksponentëve të VLEN-it, duke i kërkuar të mos përfshijnë më familjet e dëshmorëve në betejat e tyre politike.

“Na lini të qetë! Ne dimë t’i përballojmë vetë sfidat tona dhe nuk kemi nevojë të bëhemi pjesë e kampanjës suaj të fëlliqtë. Mos na përdorni për interesa tuaja të ulëta politike, për një karrige komune apo këshilli komunal. Turp t’ju vijë!”, përfundon reagimin e tij Arben Sadiku, vëllai i dëshmorit të UÇK-së.

Ndryshe, sot, koalicioni VLEN në Kumanovë akuzoi kryetarin aktual, njëherësh kandidat për mandatin e tretë për kryetar komune, Erkan Arifi se ka punësuar 23 anëtarë të familjes ndërsa ka harruar familjarët, konkretisht fëmijët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.