Pas përplasjeve mes zëvendëskryeministrit të parë Bekim Sali dhe Ministrit të Drejtësisë Igor Fillkov, një sërë reagimesh pasuan në rrjetet sociale. Në mbështetje të zëvendëskryeministrit kanë dalë edhe disa oponentë partiakë. Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, reagoi menjëherë pas shkrimit të ministrit Igor Fillkov, duke theksuar se asnjë argument juridik nuk qëndron në anën e tij.

“Me z. Bekim Sali kemi dallime të mëdha politike dhe konceptuale, duke filluar nga legjitimiteti e me radhë, por megjithëse është stomatolog, një gjë e ka thënë saktë: kushtetuta është e qartë dhe ligji për përdorimin e gjuhëve është i qartë. Prandaj, këtu jam në anën e tij kundër ministrit, i cili mori më së shumti kritika në Raportin e Komisionit Evropian. Me z. Sali do ta vazhdoj debatin për çështje të tjera, pa kompromis, por këtu, në këtë debat, më ka në krah”, tha Arbër Ademi.

Deputeti Halil Snopçe thekson se Ministri i Drejtësisë nuk mund të veprojë jashtë ligjit dhe Kushtetutës. Sipas tij, nëse Fillkov vazhdon të veprojë jashtë rregullave, ai mund të shkarkohet me propozim të kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit.

“Fillkovi është Ministër i Drejtësisë dhe ka shef përpara tij; kryeministri është shef i qeverisë. Nëse kryeministri thotë se ligji është i qartë, nuk kemi çfarë të bëjmë diskutim tjetër. Nëse Fillkovi e ka luksin të veprojë jashtë ligjit, jashtë kushtetutës dhe jashtë asaj që thotë kryeministri, atëherë ai qenka më i fuqishëm se kryeministri — s’ka logjikë. Kështu që nuk ka nevojë as për interpelancë, dhe nëse vazhdon me avazin e tij, duhet të shkarkohet me propozim të kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit. Shumë qartë është puna”, tha Halil Snopçe

Edhe Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, përmes një statusi në Facebook i doli krah zëvendëskryeministrit të parë Bekim Sali.

“Është interesante se si provimet shtetërore në degët e Mjekësisë dhe Stomatologjisë lejohen të jepen në gjuhën shqipe, dhe pikërisht ai i Jurisprudencës, që flet për Drejtësi, nuk i jep pikërisht të drejtën e merituar studentëve shqiptarë të shprehen me gjuhën e tyre amtare?! Zv/kryeministri Bekim Sali ka të drejtë Moralisht dhe ligjërisht!”, ka shkruar Taravari.