“Në bazë të asaj që ju flisni për nënat që kanë fëmijë dhe si mund të dini ju se sa shpenzon një familje shumëanëtarëshe. Unë jam nënë e dy djemve dhe e di shumë mirë se sa duhet të shpenzojë një familje katëranëtarëshe”, deklaroi Gordana Dimitrievska Koçovska.
Kjo deklaratë e ministres Dimitrievska-Koçovska që ia drejtoi deputetes Sllavjanka Petrovska nga LSDM, nxiti reagime të ashpra në opinion duke e dënuar mënyrën e këtij të fjalimit të ministres e cila e ofendoi deputeten. E dënoi edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi i cili dje mungoi në seancë, ndërsa seancën e udhëhoqi nënkryetarja Vesna Bendevska e cila aspak nuk reagoi për ta korrigjuar fjalimin e Koçovskës.
“Ngjarjet si ajo e djeshmja nuk janë të mirëseardhura, nuk është mirë për Parlamentin, kjo nuk flet mirë për ne. Kur bëhen pyetje të deputetëve, ministrat dhe qeveria duhet ta dinë se vijnë për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe ne duhet të dimë të respektojmë njëri-tjetrin dhe Kushtetutën, çfarë funksionesh dhe çfarë kompetencash ka secili institucion”, tha Afrim Gashi.
Anëtarët e LSDM-së u mblodhën para Ministrisë së Financave dhe kërkuan dorëheqjen e Koçovskës. Në vend që të kërkonin falje, ata vendosën ta sulmojnë edhe më shumë Sllavjankën, duke e akuzuar atë se ka luajtur viktimën, tha Jovana Trençevska.
“Kur një ministre në këtë vend guxon të thotë se një grua nuk mund të flasë për familjen vetëm se nuk ka fëmijë, atëherë kjo nuk është thjesht një fyerje, është një sulm ndaj dinjitetit të të gjithëve ne. Kjo është arrogancë, kjo është diskriminim, kjo është çnjerëzore. Prandaj jemi sot këtu për të kërkuar me zë të lartë dhe qartë që Gordana Koçovska të japë dorëheqje”, tha Jovana Trençevska.
Ministrja Koçovska thotë se qëllimi i saj nuk ishte ta ofendojë Petrovskën e cila po luan viktimë dhe në mënyrë triumfale paralajmëroi investime.
“Unë tashmë shpreha keqardhjen time për të gjithë kontekstin, por ju jeni të vetëdijshëm që njerëzit kanë çështje më të rëndësishme sesa tema të rrejshme që po krijojnë për të shpërqendruar. Nuk kam ndërmend të ofendoj askënd, përkundrazi, ajo e di këtë vetë, por duket se po luan viktimën tani. Për mua, siç thash, tema është e mbyllur. Unë jam e fokusuar në punën time, për të cilën kam përgjegjësi dhe kam kënaqësinë të shpall një nivel rekord të investimeve në Maqedoni”, tha Gordana Dimitrievska Koçovska.
Për ofendimin që Koçovska ia drejtoi Petrovskës, reagime arritën jo vetëm nga politikanë por edhe nga analistë, profesorë, figura publike dhe një pjesë e madhe qytetarësh, ndërsa në mbrojtje të Koçovskës doli vetëm VMRO-DPMNE.
