Gazetar: Suad Bajrami

Reagime të shumta nëpër rrjetet sociale për protestën e djeshme, e cila krahas pajtimit të përgjithshëm mes komunitetit shqiptar se studentët kanë të drejtë në kërkesën e tyre, kanë polarizuar shoqërinë në qëndrimet për përgjegjësinë e moszgjidhjes së çështjes.

Duke shpërndarë një video ku shihen deputetët e BDI-së, Xhezair Shaqiri i njohur si komandant Hoxha, shkruan se studentët kanë të drejtë, por derisa lejojnë të përzihet politika, do të kenë probleme.

“Kërkesat e studentëve janë legjitime dhe është barrë e politikanëve të cilët kanë qenë përgjegjës për cungimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe politikanëve të cilët janë pushtet, pa e anashkaluar faktin që këta të qeverisë e kanë shumë të vështirë të riparojnë dëmet e shkaktuara nga politikanët e pushtetit të mëparshëm, jo më pak se dy dekada”

Ndërkohë Priam Ahmedi, shkruan se në kohën kur ka organizuar protesta për Monstrën, policia e atëhershme i ka pritur me forca speciale.

“Në kohën kur organizoja protesta për gjuhën shqipe, për rastet e montuara politike ndaj shqiptarëve nga regjimi qeverisë BDI-VMRO-LSDM, në Shkup na prisnin me kordona policie, presione, etiketime e pengesa në çdo hap”.

Suad Saliu shkruan se protesta duhet mbështetur edhe nga BDI edhe nga VLEN.

“VLEN-i, si pjesë e qeverisë, duhet ta shohë këtë protestë si mundësi për ta forcuar pozitën e vet përballë partnerëve në qeveri. Duhet ta mbështesë protestën dhe ti inkurajojë aktivistët e vet të jenë aty, krah studentëve. Ashtu si bënë herën e parë. Edhe opozita shqiptare e ka detyrë të jetë në mbështetje. Masivisht! Këtë punë ka opozita. Jo për ta marrë protestën në dorë. Por për ta shtuar presionin publik dhe për ta mbrojtur një kauzë që është mbi partitë”.

Publicisti Latif Mustafa, kërkon që studentët të refuzojnë mbështetjen e politikanëve që çështjen nuk e zgjidhën.

“Protestoni ndaj atyre që – dreqi ta hajë – edhe pas 4 dekadave nuk arritën ta rregullojnë një send shumë bazik si gjuha. Refuzoni çdo mbështetje nga kasta aktuale politike. Në të kundërtën, kot protestoni dhe prireni të jeni të manipuluar, performativ dhe ju duket seksi me protestu kotësisht!”.

Ndërkohë analisti Qenan Aliu kërkon që të mos etiketohet protesta.

“PROTESTA është një vegël shoqërore, një mënyrë për të ngritur zërin dhe për të kërkuar të drejtën. Si çdo vegël tjetër, ajo mund të përdoret mirë apo keq. Por që të gjykohet drejt, duhet kuptuar thelbi i saj, jo etiketa që i vendoset sipër”.

Reagime të shumta kishte edhe nga figura publike të Kosovës dhe Shqipërisë.

The post Reagimet për protestën e jurisprudencës “vërshojnë” internetin appeared first on Alsat.