Një ditë pasi që komisari i garave pran Federatës së Basketbollit të Maqedonisë, Aleksandar Milojeviq shqiptoi dënimet për KB Çair 2030 dhe TFT, reagoi trajneri i skuadrës nga Çairi, Erhan Ramadani. Ai qartësoi se kush është inicuesi i incidentit në sfidën miqësore të zhvilluar në palestrën “Kale”.

 

“Pikënisja e Incidentit ka qenë lojtari Edis Nuri, i cili në çdo moment ai, sa herë që ka qenë pjesë e lojës, ka hyrë në lojë për të provokuar lojtarët tanë, por më e keqja ka qenë se ai ka reaguar në drejtim që të lëndojë lojtarët tanë, dy lojtarët më të mirë, Mofejtin dhe Kellin, e cila ka ndodh në vazhdimësi… Dua të potencojë se kjo ka ndodhur në “Kale“, ku ne kemi qenë si mysafirë , nuk ka pasur polici, as sigurim, e as mjekë…” tha fillimisht Erhan Ramadani, trajner i KB Çair 2030

 

Trajneri Ramadani, nuk ka besuar se mund të ndodhin gjëra të tilla në një ndeshje miqësore dhe ka rënë dakord për të zhvilluar këtë sfidë në koordinim me trajnerin e TFT-së, Boro Smilkovskin.

 

“Kam pas marrëdhënie të mira me Boron dhe kam mendue se nuk do të vjen deri në këtë situatë dhe për këtë arsye kemi vazhduar, pasi e kemi ditur veten. Fundi i fundit, asnjë lojtarë, asnjë trajner dhe asnjë zyrtar i Çair 2030, nuk është i involvuar në rrahjen. E gjitha ka ndodhur mes Edis Nurit dhe një lojtari tjetër, i cili me karrike ka gjuajtur kah publiku jonë,” shpjegon trajneri Ramadani.

 

Ramadani ka kërkuar videoxhirimin e ndeshjes, e cila realizohet me kamera robotike në secilën palestër sportive të klubeve të Ligës së Parë.

 

 

“Kur ndodhi incidenti, ajo që është për tu habitur është se në vendimet që i ka bërë Komisari i garave i ka bërë në bazë të video xhirimeve, të cilat janë xhiruara nga personi që ka qenë në tribuna, ku nuk shihet qartë se çka ka ndodhur aty…..Ato i posedojnë videot e live stremingut dhe ne si klub I kemi kërkuar nga Federata, zyrtarisht me email, por në asnjë  moment nuk na është dërgue ajo video. Në atë video shihet qartë se kush është problematiku, se kush e fillon incidentin dhe në atë video shihet qartë ndërhyrjet arrogante të Edis Nurit….Por me vet faktin që ata e fshehin atë video tregon mjaft se çka është tendenca e tyre,” tha në fund Erhan Ramadani.

 

Trajneri Ramadani dhe KB Çair 2030, kanë paralajmëruar se do të ankimojnë dënimin me 48 mijë denarë dhe tre ndeshje pa publik në instanca të tjera sportive nëse arrijnë në vesh të shurdhër nga Federata e Basketbollit të Maqedonsië dhe këtë rast do ta dërgojnë edhe në FIBA-n.

Mahir Thaçi

The post Reagon Ramadani: Dënohemi nga FBM, edhe pse ne nuk ishim nikoqir appeared first on Alsat.