Ministria e Drejtësisë ia ka dorëzuar Komisionit Evropian për mendim Projekt-Kodin e ri Penal dhe Projektligjin për Procedurën Penale, në kuadër të reformës së legjislacionit penal dhe harmonizimit të tij me standardet evropiane. Sipas Ministrisë, Kodi i ri Penal po përgatitet pas tri dekadash dhe, së bashku me ligjin e ri për procedurën penale, synon luftë më efikase kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, procedura më të drejta gjyqësore dhe mbrojtje më të mirë të qytetarëve.
“Reforma nuk qëndron vetëm në miratimin e ligjeve të reja, por në zbatimin e tyre dhe rezultatet konkrete për qytetarët. Qëllimi është krijimi i një kornize ligjore që mundëson hetime efikase, zbatim të barabartë të ligjit dhe përgjegjësi pa përjashtime”, tha Ministria e Drejtësisë.
Përgatitja e Kodit të ri Penal nisi në vitin 2019, ndërsa grupi i punës, i udhëhequr nga akademiku Vllado Kambovski, zhvilloi konsultime me institucionet, gjyqësorin, akademinë dhe shoqërinë civile. Në projekt janë përfshirë 33 direktiva të BE-së dhe janë shqyrtuar mbi 50 mendime e propozime.
“Ligji i ri për Procedurën Penale u përgatit nga një grup ekspertësh prej 25 anëtarësh, i udhëhequr nga profesoresha Gordana Lazhetiq. Teksti përfundoi në tetor të vitit 2026 dhe parasheh harmonizimin me 25 direktiva e standarde evropiane. Ndryshimet përfshijnë konfiskimin e pasurisë, hetimet financiare, provat elektronike, mbrojtjen e viktimave dhe mundësinë e zhvillimit të seancave në distancë”, tha Ministria e Drejtësisë.
Në përgatitjen e të dy projektligjeve kanë kontribuar edhe partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Misioni i OSBE-së në Shkup. Ministria pret që reforma të sjellë rezultate konkrete përmes hetimeve më efikase, drejtësisë më të barabartë dhe sigurisë më të madhe juridike për qytetarët.
