Gazetare: Fatlume Dervishi
Ligjet e Agjendës së reformave vonohen kurse vendet e rajonit nuk zbatojnë as detyrimet nga Procesi i Berlinit. Këto konstatime të ekspertëve u thanë në debat para deputetëve. Pushteti kërkoi që opozita të mos përmbahet, por të votojë ligjet reformuese, kurse opozita tha se nevojitet debat thelbësor dhe jo procedura të shkurtuara, pa hapësirë për diskutime.
“Për fat të keq, një pjesë e detyrimeve dhe afateve që kemi marrë përsipër nga Agjenda e reformave vonohen në sektorë shumë fondamentalë dhe krucialë”, deklaroi Marko Troshanovski, Instituti për Demokraci “Societas Civilis”.
Ky është konstatimi i Institutit për Demokraci “Societas Civilis”, në debatin në Kuvend për rolin e parlamentit në zbatimin e agjendës së reformave dhe detyrimeve nga Procesi i Belinit.
Fokusi u vendos të reformat në sistemin e drejtësisë, të cilat janë thelbësorë për të dy proceset. Vendi tashmë është në periudhën grejs prej 12 muajsh, pasi nuk arriti afatin për miratimin e ligjeve të rëndësishme për reformat në Drejtësi, deri në qershor.
“Nëse reformat e Procesit të Berlinit i ndajmë nga sundimi i ligjit marrim listë reformash që mundet t’i zbatojë edhe Bashkimi Sovjetik ose Koreja e Veriut. Vetëm nëse reformat e kanë për qëllim të ardhmen e gjeneratave të reja, duke përfshirë edhe kriteret për qeverisje të mirë, mund të sigurohemi që ata do të jenë funksionale sot dhe në të ardhmen”, tha Mishа Popoviq, Forumi për shoqëri civile.
Përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë informuan për ligjet e ngecura nga agjenda për reforma në drejtësi. Ata thanë se propozimet e përpiluara për Këshillin gjyqësor, Këshillin e prokurorëve dhe administratën gjyqësore, do të dërgohen për vlerësim në Komisionin Evropian.
“Punohet edhe në Ligjin për procedurën penale kurse duhet të kihet parasysh se Kodi I ri Penal do të ketë periudhë harmonizimi ku do të bëhet harmonizimi me të gjithë ligjet e tjera, ku hyn edhe ligji për procedurën penale. Ministria e Drejtësisë është e përkushtuar në reformimin e legjislaturës zgjedhore dhe mbetet në qëndrimin se duhet një ligj i ri, duke pasur parasysh se më herët janë bërë shumë ndryshime në këtë ligj. Është konstituuar këshilli për ndjekjen e reformave në gjyqësor që drejtohet nga ministri i Drejtësisë. Përveç reformave të strategjisë për gjyqësorin, ky këshill do të ndjekë edhe zbatimin e agjendës së reformave”, Bojana Bosillkova, Ministria e Drejtësisë.
Pushteti i bëri thirrje opozitës që të votojë ligjet reformuese. Opozita nga ana tjetër, tha se për ligjet nevojitet hapësirë për debat thelbësor.
“Jemi dëshmitarë që në Kuvend lihet seriozisht shumë pak hapësirë për diskutim sepse mbi 70% e ligjeve në këto 17 muaj janë miratuar me procedurë të shkurtuar që do të thotë vetëm disa orë prezencë në Kuvend para se të miratohen”, tha Fatmir Bytyqi, LSDM.
“Opozita ka të drejtë dhe është e nevojshme që ta kritikojë shumicën parlamentare për ndonjë ligj që nuk është votuar ose është vonuar por gjithashtu do të ishte politikisht më korrekte që kur ne i votojmë këto ligje të cilat janë pjesë e agjendës evropiane, deputetët e opozitës që janë në sallë, të mos përmbahen nga votimi por të votojnë për”, deklaroi Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.
Disa nga aspektet tjera në të cilat vendet e rajonit ngecin sa i takon Procesit të Berlinit është pajtimi me të kaluarën, barazia gjinore dhe tregu i përbashkët rajonal. /Alsat.mk
The post “Reformat”/ Vonesa në zbatimin e agjendës, pushteti dhe opozita pa konsensus appeared first on Alsat.
