
Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Dejan Stankov, bëri të ditur se regjistrimi i ardhshëm i popullsisë në Maqedoni pritet të zhvillohet rreth vitit 2030 dhe do të jetë plotësisht digjital.
Ai theksoi se synimi është që procesi të realizohet përmes sistemeve elektronike dhe burimeve administrative, duke punuar ngushtë me institucionet për të garantuar saktësinë e të dhënave.
Sipas Stankov, metoda e re do të mundësojë një pasqyrë më të qartë të popullsisë reale, duke kombinuar disa burime të dhënash dhe jo vetëm regjistrat zyrtarë.
Ai shtoi se një nga sfidat mbetet identifikimi i qytetarëve që jetojnë jashtë vendit, por që nuk janë çregjistruar, ndaj do të përdoren metoda më të avancuara për të përcaktuar popullsinë rezidente.
Në fund, Stankov konfirmoi se nuk parashihet përfshirja e popullsisë jorezidente, pasi fokusi kryesor i regjistrimit është numërimi i banorëve që jetojnë brenda shtetit.
