Polonia ka arritur një rekord të ri në rezervat e arit. Banka Qendrore e vendit tashmë zotëron 700 tonë ar, duke e renditur shtetin në mesin e 10 vendeve me rezervat më të mëdha të këtij metali të çmuar në botë.

Lajmi është bërë i ditur nga presidenti i Bankës Kombëtare të Polonisë, Adam Glapinski, i cili vlerësoi se rritja e rezervave forcon sigurinë financiare të vendit dhe kontribuon në stabilitetin e monedhës kombëtare, zloty.

Vetëm që nga janari, rezervat janë shtuar për 150 tonë, nga 550 në 700 tonë ar.

Sipas Glapinskit, vlera e përgjithshme e arit të grumbulluar arrin në 355.7 miliardë zloty, apo rreth 80.9 miliardë euro.

Një pjesë e rezervave ruhet jashtë vendit. Rreth një e treta e arit ndodhet në Nju Jork, 30 për qind në Londër dhe 30 për qind në territorin polak.

Nga Banka Qendrore thonë se kjo shpërndarje është bërë për arsye sigurie dhe si masë paraprake.

Pavarësisht arritjes së 700 tonëve, Polonia nuk ka ndërmend të ndalet me kaq. Glapinski ka bërë të ditur se synon të vazhdojë blerjen e arit, duke theksuar se nuk sheh arsye për të ndërprerë këtë proces.

Polonia, e cila nuk e ka adoptuar euron dhe vazhdon të përdorë zlotyn si monedhë kombëtare, po ndjek trendin e shumë bankave qendrore në botë për rritjen e rezervave të arit.