Korriku solli më pak leje ndërtimi, por projektet e planifikuara ende numërojnë qindra banesa dhe mijëra metra katrorë sipërfaqe të re, përcjell TV21. Në vend janë dhënë gjithsej 367 leje ndërtimi, 8,5 për qind më pak krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.
Nga këto, pjesa më e madhe, ose 227 leje, janë për objekte të larta, ndërsa 39 për objekte të ulëta. Për 101 objekte të tjera është parashikuar rikonstruksion. Në bazë të këtyre lejeve, në vend pritet të ndërtohen 1.248 banesa, me sipërfaqe të përgjithshme prej mbi 100 mijë metrash katrorë.
Dhe nëse shikojmë hartën e vendit, Shkupi kryeson. Në rajonin e Shkupit janë dhënë 107 leje ndërtimi, ndërsa janë planifikuar 752 banesa. Por ka edhe një rënie të madhe në vlerën e projekteve. Vlera e objekteve për të cilat janë dhënë lejet arrin në rreth 8 miliardë denarë
Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, arsyeja kryesore për këtë rënie është fakti se korrikun e kaluar ishte dhënë një leje e madhe për ndërtimin e një parku me erë në Shtip, Radovish dhe Karbinci.
Ndërkohë, pjesën më të madhe të investitorëve e përbëjnë qytetarët. 209 objekte, ose 56,9 për qind, kanë si investitorë persona fizikë, ndërsa 158 janë investime nga kompani.
