Gazetar: Zekirija Ismaili
Enti Shtetëror për Revizion ka konstatuar një sërë lëshimesh në punën e Shërbimit të Përgjithshëm dhe të Përbashkët të Qeverisë (SHPPQ). Nuk janë bërë kontrolle të rregullta financiare në byfenë e qeverisë, janë konstatuar parregullsi gjatë punësimeve si dhe keqmenaxhim me pasurinë shtetërore. Si problem më serioz në raportin për vitin 2024 theksohet angazhimi i 21 personave në kohë të caktuar dhe pacaktuar për të cilët janë paguar 3,2 milionë denarë. Pjesë prej tyre janë punësuar për vende të cilat kërkojnë nivel më të lartë shkollimi, certifikata dhe kompetenca. Në byfe, nuk janë regjistruar të holla për fitimin ditor.
“Nuk përgatitet libër për raporte ditore financiare me të dhëna të regjistruara për fitimin e përgjithshëm dhe TVSH, të parapara me ligjin për regjistrimin e pagesave në dorë. Pagesa e këtyre të hollave bëhet me vonesë prej disa muajve. Për qershorin e vitit 2024 nuk janë dhënë llogari fiskale dhe janë konstatuar dallime mes gjendjes kontabël dhe asaj faktike të stoqeve të produkteve ushqimore në magazinën kryesore, në vlerë prej 4,1 milion denarë”, thonë nga SHPPQ.
Revizioni ka vërtetuar dobësi serioze edhe në menaxhimin e pasurisë shtetërore. Toka që administrohet nga Shërbimi i përgjithshëm në vlerë prej 20 miliardë denarë, nuk është evidentuar dhe nuk është harmonizuar me fletëpronësinë e parcelës kadastrale, gjë që ndikon në vlerësimin e saj. Një pjesë e tokës figuron si pronë e shërbimit të përgjithshëm edhe pse është shitur prej kohësh.
Parregullsi janë konstatuar edhe në prokurimet publike, në menaxhimin e pajisjeve dhe rezervave, si dhe në praktikën e sigurimit të automjeteve zyrtare përmes lizingut, ku, sipas auditorëve, mungon një analizë gjithëpërfshirëse e arsyeshmërisë ekonomike, ndërsa konkurrenca mes ofertuesve është e kufizuar. /Alsat.mk
The post Revizioni konstaton një sërë lëshimesh në punën e Shërbimit të Përgjithshëm appeared first on Alsat.
