Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar një sërë mangësish në menaxhimin financiar, administrimin e pasurisë shtetërore, prokurimet publike dhe evidencën administrative në Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës. Një nga vërejtjet më serioze lidhet me faktin se institucioni nuk ka ndërmarrë masa për sigurimin e pasurisë. Sipas Entit të Revizionit, kjo gjendje krijon rrezik që shteti vetë të përballojë kostot në rast të ndonjë dëmi. Revizioni gjithashtu ka konstatuar se Komisioni nuk ka krijuar një sistem të unifikuar për ndjekjen e lëndëve dhe të kërkesave financiare nga gjobat e shqiptuara.
“Nuk është vendosur praktikë për evidencë unike të lëndëve dhe të kërkesave që lidhen me to, gjë që mund të çojë në arkëtim të vonuar”, njofton Enti i Revizionit.
• S’ka pasur praktikë për evidencë të lëndëve
• Arkëtim i vonuar
Revizorët kontrolluan 4 procedurat e prokurimit publik të zhvilluara gjatë vitit 2024, me vlerë të përgjithshme prej 1,18 milionë denarësh, rreth 19.200 euro dhe konstatuan parregullsi në dy prej tyre. Për prokurimin e tre telefonave celularë, revizorët vlerësuan se specifikimet teknike ishin hartuar në mënyrë që të orientonin drejt një prodhuesi të caktuar. Ndërsa në prokurimin për shërbimet e transportit me taksi nuk ishte shpjeguar qartë mënyra e vlerësimit të ofertave. Sipas revizorëve, këto mangësi mund të favorizojnë operatorë të caktuar ekonomikë. Në raportin e Revizionit gjithashtu është vërejtur mangësi në evidencën për prezencën në punë.
“Listat ditore të evidencës që janë mbajtur gjatë vitit 2024 nuk na u vunë në dispozicion për shqyrtim, me arsyetimin se ka kaluar një periudhë e gjatë dhe nuk mund t’i gjejnë”, thuhet në njoftimin e Entit të Revizionit.
• Listat ditore të evidencës nuk na u vunë në dispozicion
• Arsyetimi ishte se nuk mund t’i gjejnë
Për shqyrtim është dorëzuar vetëm evidenca për tre muajt e parë të vitit 2025, ndërsa në të nuk ishte regjistruar prania e anëtarëve të Komisionit. Revizorët theksojnë se institucioni pothuajse gjatë gjithë vitit nuk ka funksionuar me përbërjen e paraparë me ligj./Alsat.mk.
The post Revizioni zbulon parregullsi të shumta në punën e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës për vitin 2024 appeared first on Alsat.
