Janë miratuar edhe 145 emra të rinj rrugësh në Komunën e Tetovës, ndërsa kanë mbetur edhe rreth 100 të tjerë për ta kompletuar listën e plotë. Procesi pritet të përmbyllet brenda këtij muaji, kurse në shtator lista e propozimeve do të dalë zyrtarisht para këshilltarëve të Këshillit Komunal.

 “Miratuam edhe fazën e dytë të konfirmimit të emrave që do i bashkëngjiten listës finale të propozimeve që do i bashkohet listës finale që do i paraqitet këshillit komunal e që pastaj do i dërgohet edhe Qeverisë për miratim. Në fazën e parë miratuam diku 77 emra, ndërsa në mbledhjen e sotme miratuam edhe 145 emra të tjerë e që ka arritur 222, ndërsa na duhen diku edhe mbi 100 emra që të kompletohet e tërë lista që do i dërgohet Qeverisë. Nga 20 shtatori duhet ta kemi listën finale që këshilli duhet ta miratoj dhe Qeveria të jep pëlqimin e duhur”, theksoi Albi Qamili – kryetar i Komisionit për Emërtimin e Rrugëve.

Kryetari i komisionit, Albi Qamili, thotë se për këtë listë ka dakordësi edhe me partnerin e koalicionit në nivel qendror, me qëllim që ky problem dekadash më në fund të marrë zgjidhje ligjore.

 “Është proces që nuk dëmton dhe nuk prek asnjë bashkësi etnike apo komunitet, ashtu siç e ka thënë edhe kryeministri në deklaratat e tij. Ky proces duhet të ec me kujdes të veçantë dhe do merr pëlqimin në Qeveri që ky problem shumë vjeçar të merr fund. Deri në fund të vitit ca rrugë në Tetovë do kenë emra të rinj”, u shpreh Albi Qamili – kryetar i Komisionit për Emërtimin e Rrugëve.

Megjithatë, pas mbledhjes, reagoi këshilltari i Lidhjes Shqiptare. Nga kjo parti kërkojnë që në listën e propozuar të përfshihet patjetër edhe emri i ish-të burgosurit politik, Mehmet Gega.

 “Kjo ishte arsyeja edhe pse votova kundër propozimeve tjera që vinin nga pala maqedonase. Ne si LSH ua bëmë me dije se në mbledhjen e ardhshme, propozimi ynë do jetë një dhe i vetëm, Mehmet Gega, që t’ua heqim atë komoditet shumicës që të përzgjedhin nga lista jonë se cilët emra lëndojnë më pak apo më shumë partnerët e tyre të koalicionit”, tha Arlind Murtezani – Lidhja Shqiptare.

Në Komunën e Tetovës numërohen gjithsej 297 rrugë, nga të cilat 216 identifikohen vetëm me numra ose nuk janë fare të evidentuara, gjë që shkakton pengesa të vazhdueshme në terren për dërgesat postare dhe shërbimet e tjera institucionale.