Ish-presidenti amerikan Joe Biden deklaroi të dielën se Shtetet e Bashkuara po kalojnë “ditë të errëta”, duke u bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të fortë dhe optimistë përballë sfidave që, sipas tij, kërcënojnë liritë themelore të vendit. Në një fjalim publik, ai akuzoi presidentin Donald Trump për “sulme ndaj lirisë së shprehjes” dhe për “testimin e kufijve të pushtetit ekzekutiv”.

“Që nga themelimi i saj, Amerika ka qenë një fener për idenë më të fuqishme në historinë e qeverisjes. Kjo ide është më e fortë se çdo ushtri. Ne jemi më të fuqishëm se çdo diktator,” u shpreh Biden.

82-vjeçari foli për herë të parë pas përfundimit të një cikli radioterapie për një formë agresive të kancerit të prostatës. Ai mbajti fjalimin në Boston, ku u nderua me çmimin “Kontributi i Përgjithshëm” nga Instituti Edward M. Kennedy.

Në fjalën e tij, Biden theksoi rëndësinë e ekuilibrit institucional në SHBA: “Amerika mbështetet në një presidencë me kompetenca të kufizuara, një Kongres funksional dhe një drejtësi të pavarur.” Ai kritikoi mënyrën se si administrata Trump po e përdor mbylljen e qeverisë federale, e dyta më e gjatë në histori, për të zgjeruar ndikimin mbi pushtetin ekzekutiv.

“Miqtë e mi, nuk mund ta zbukuroj situatën, janë ditë të errëta,” tha ai, duke shtuar se vendi “do të rigjejë busullën e tij” dhe “do të ngrihet përsëri, më i fortë, më i urtë, më i drejtë dhe më i qëndrueshëm, nëse ruajmë besimin.”

Biden përmendi edhe shembuj njerëzish që, sipas tij, po qëndrojnë kundër presioneve të administratës aktuale – përfshirë zyrtarë federalë që janë dorëhequr në shenjë proteste, universitete dhe komedianë të kritikuar publikisht nga Trump.

“Edhe prezantuesit e ‘late-night shows’ po vazhdojnë të ndriçojnë lirinë e fjalës, duke e ditur se rrezikojnë karrierat e tyre,” shtoi ai.

Ai vlerësoi gjithashtu zyrtarë republikanë që kanë votuar kundër linjës së presidentit Trump, duke theksuar: “Amerika nuk është një përrallë. Për 250 vjet, ajo ka qenë një përballje e vazhdueshme midis rrezikut dhe mundësisë.”

Biden e përmbylli fjalimin me thirrjen: “Ngrihuni përsëri.”

Ish-presidenti demokrat u largua nga Shtëpia e Bardhë në janar, pas një mandati të vetëm, pasi hoqi dorë nga gara për rizgjedhje pas debatit të dështuar me Trump dhe shqetësimeve për moshën, shëndetin dhe gjendjen mendore. Ai mbështeti ish-zëvendëspresidenten e tij, Kamala Harris, e cila humbi zgjedhjet e nëntorit të kaluar ndaj Trump.

Në maj, zyra e Biden njoftoi se ai ishte diagnostikuar me kancer të prostatës që ishte përhapur në kocka.