Kuzhinieri i njohur dhe prezantuesi televiziv, Gordon Ramsay, do të jetë në krye të emisionit të rikthyer automobilistik të BBC-së, “Top Gear”, përcjell TV21. Siç njoftoi dje transmetuesi publik britanik, xhirimet e emisionit do të zhvillohen gjatë vitit 2027, me një ekip të ri, ku Ramsay do të jetë prezantues së bashku me pilotin testues të njohur si “The Stig”. Rikthimi i emisionit në ekranet televizive është planifikuar për vitin 2028.

“Top Gear”, një nga emisionet më të suksesshme të BBC-së të të gjitha kohërave, u ndërpre në vitin 2022, pas një aksidenti gjatë xhirimeve, ku ishte përfshirë prezantuesi i atëhershëm Andrew “Freddie” Flintoff.

Në formatin e tij të njohur, emisioni filloi të transmetohej në vitin 2002 dhe më pas u shndërrua në një hit global, veçanërisht pas angazhimit të prezantuesve të dikurshëm Jeremy Clarkson, Richard Hammond dhe James May.

Ramsay është paraqitur tri herë si mysafir në këtë emision. Ai posedon licencë garash dhe ka marrë pjesë në aktivitete të ndryshme të motorsportit. BBC ende nuk ka bërë të ditur se cilët prezantues të tjerë do t’i bashkohen atij.

Ramsay tha se synimi i tij është të sjellë “energji të re dhe dëshirë për të krijuar diçka vërtet emocionuese për gjeneratën e re të shikuesve”.

Ai u bë i njohur si yll televiziv përmes emisioneve të tij të gatimit.