E ardhmja e Robert Levandovskit te Barcelona mbetet e hapur, teksa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ardhur një ofertë konkrete për sulmuesin polak.

Sipas “Diario Sport”, klubi i MLS-së, Çikago Fajr, i ka paraqitur 37-vjeçarit një kontratë dyvjeçare me pagë të majme, duke synuar ta bëjë atë transferimin e madh të verës. Skuadra amerikane ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Levandovskin dhe agjentin e tij, Pini Zahavi, prej disa kohësh.

Çikago Fajër po punon intensivisht që ta bindë sulmuesin të nisë një aventurë të re në MLS, duke e parë atë si figurën qendrore të projektit sportiv dhe marketingut të klubit. Kontrata e Levandovskit me Barcelonën skadon në fund të sezonit dhe deri tani nuk ka një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij.

Sipas raportimeve, katalanasit nuk kanë plane konkrete për rinovim, pasi po kërkojnë një sulmues më afatgjatë për projektin e ri të skuadrës. Nga ana tjetër, thuhet se veterani polak është i tunduar nga oferta amerikane, që do t’i siguronte një kontratë të rëndësishme financiare në fazën përmbyllëse të karrierës së tij.

Edhe pse këtë sezon ka qenë pas Ferran Torres në renditjen e sulmuesve kryesorë te Barcelona, Levandovski vazhdon të tregojë efikasitet para portës, me 13 gola dhe 3 asistime në të gjitha garat, shifra që dëshmojnë se instinkti i tij realizues mbetet ende në nivel të lartë.

The post Robert Levandovski merr ofertë konkrete nga skuadra e MLS-së appeared first on Alsat.