
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Mihalis Rokas, ka theksuar se dera e BE-së për Maqedoninë e Veriut mbetet e hapur dhe se është koha për të ecur përpara, por përparimi drejt anëtarësimit kërkon zbatimin e angazhimeve të ndërmarra, përfshirë ndryshimet kushtetuese.
“E thatë me të drejtë se po jetojmë kohë të jashtëzakonshme dhe imperativët gjeopolitikë e kanë bërë pranimin në BE një imperativ për ne. Pra, është koha për të ecur përpara. Megjithëse, kam respekt të lartë për pozicionin e Kryeministrit, por në të njëjtën kohë, të gjithë e dimë që zgjerimi është një proces politik, është një proces ligjor. Gjithashtu, është një proces ku angazhimet janë aty për t’u zbatuar në mënyrë që të mund të ecim përpara. Prandaj, është koha për të ngulitur, nëse më lejoni, besimin në proces. Në momentin që hapni negociatat, atëherë dinamizmi politik ndryshon plotësisht. Pra, ekziston një mundësi e qartë dhe një moment i qartë për të shfrytëzuar këtë mundësi”, tha Mihalis Rokas, Ambasador i BE-së.
Sipas Rokas, vendi duhet të adresojë me urgjencë gjendjen në gjyqësor, i cili mbetet një nga pikat më të ndjeshme të reformave.
“Gjyqësori është seriozisht i nënfinancuar. Dhe ajo për të cilën po flas është se pozicionet e gjyqtarëve nuk janë të mbushura. Janë të paktën 30% e tyre në dispozicion, por edhe prokurorët, 40% vende të hapura pune, si dhe stafi ndihmës. Përveç kësaj, të gjithë e dimë se pajisjet janë të vjetruara, sistemet e IT-së janë të vjetruara, dhe për të mos thënë çfarë shihni nëse bëni një vizitë në ndonjë sallë gjyqi për të parë gjendjen e saj. Përveç kësaj, kemi Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë, e cila është hyrja e vetme në sistem. Dhe atje nuk kanë fonde të mjaftueshme për trajnim dhe veçanërisht për zëvendësimin e gjyqtarëve që dalin në pension. Dhe kjo pengon seriozisht efikasitetin… Natyrisht nëse duam të luftojmë korrupsionin, na duhen gjyqtarë dhe paga që përputhen me përgjegjësitë e tyre”, u shpreh Mihalis Rokas, Ambasador i BE-së./ Alsat/
