Rreth 10% e popullsisë në vend vuajnë nga sëmundje të veshkave, ndërsa 160 pacientë janë në listën aktive që presin transplantim të veshkës. Institucionet shëndetësore njoftojnë se po punohet në përmirësimin dhe lehtësimin e transplant të veshkave dhe se është duke u përgatitur një ligj i ri. Me këto ndryshime po zgjerohet rrethi familjar që mund të dhurojnë veshka si donatorë të gjallë.

“Kishte situata kur gruaja mundej të dhuronte për burrin, por kushëriri i parë nuk mund të dhuronte sepse është brezi katër. Pikërisht në këtë drejtim janë ato ndryshime, që të bëhen ndryshime në transplantin nga donor i gjallë, ku do të rritet pragu gjegjësisht brezat që mund të dhurojnë veshka për pacientët që kanë nevojë”, theksoi Nikolla Gjorgjievski – Drejtori i Klinikës së Nefrologjisë.

Koordinatorja nacionale e transplantit theksoi se shpesh shfaqen probleme edhe në rastet kur bëhet fjalë për donatorë të vdekur, pasi familjet fillimisht japin pëlqimin, por më pas, kur gjithçka është gati në sallë operacioni, ndryshojnë mendje. Ajo bëri apel për ngritjen e vetëdijes për dhurimin e organeve, veçanërisht nga donatorët e vdekur.

“Apelojmë që çdo kush të mendojë për vete fillimisht, të flas me familjen, ta tregojë qëndrimin e tij në lidhje me dhurimin e organeve pas vdekjes. Nuk ka gjë më të mirë se shpëtimi i jetës njerëzore, në moment kur një jetë njerëzore shuhet”, tha Biljana Kuzmanovska – Koordinatore Nacionale e Transplantit.

Ministri i Shëndetësisë Aliu shpreson se deri në fund të prillit ligji do të jetë gati dhe do të votohet në Kuvend.

“Vlerësoj se deri në fund të prillit ligji do te jetë gati si procedurë edhe në parlament dhe vlerësoj se pas kësaj me këtë qasje do të lehtësohet qasja për te donori”, u shpreh Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.

Në Maqedoni, rreth 85% e pacientëve me insuficiencë terminale renale trajtohen me hemodializë, ndërsa rreth 15% me transplantim të veshkave. Me këtë rast, u bë një apel për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e transplantimit, si një akt që shpëton jetë dhe përfaqëson shprehjen më të lartë të solidaritetit njerëzor.