Gazetare: Melihate Rustemi
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski ka vlerësuar se rrethi I dytë i zgjedhjeve lokale është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe të rregullt, pa incidente serioze që do të ndikonin në procesin zgjedhor. Sipas tij, puna e koordinuar mes institucioneve ka siguruar një ditë zgjedhjesh të qeta dhe transparente në të gjithë vendin. Megjithatë, policia ka pranuar 30 raportime që lidhen me parregullsi të mundshme pranë qendrave të votimit. Sipas të dhënave zyrtare, raportimet më të shpeshta kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore pranë qendrave të votimit.
“Raportimet më të shpeshta kishin të bënin me fushatën pranë qendrave të votimit, gjithsej 7 raste, të ndjekura nga ryshfeti i mundshëm gjatë zgjedhjeve ose votimit 5 raste, prania e paautorizuar në një qendër votimi 4 raste. U vunë re raste të izoluara të pengimit të votimit, fotografimit të fletëvotimeve, fotografimit të paautorizuar të qytetarëve, si dhe ngjarje individuale që lidhen me kërcënime. Pas kontrolleve të ndërmarra, në 19 nga 26 rastet e përpunuara, akuzat nuk u konfirmuan”, tha Pançe Toshkovski, ministër I Punëve të Brendshme.
Për disa prej tyre, është konstatuar se nuk kishte bazë për veprime të mëtejshme, ndërsa në të tjera, janë hartuar raporte zyrtare ose janë marrë masa administrative e penale, në përputhje me ligjin. Sipas Toshkovskit, aktivitetet policore vazhdojnë për katër ngjarje, që lidhen me ryshfet të mundshëm, fotografim të paautorizuar, fushatë afër qendrave të votimit, si dhe sjellje të papërshtatshme të disa anëtarëve të këshillave zgjedhorë. Ndërkohë, sektori për krim kompjuterik ka regjistruar 18 postime në rrjetet sociale, që lidhen me procesin zgjedhor.
Postimet po analizohen nga ekspertët dhe ndaj tyre po veprohet sipas procedurave ligjore në fuqi. Rikujtojmë se për vepra penale lidhur me procesin zgjedhor, parashihet dënim deri në 5 vjet burg. Veprat më të shpeshta janë: mashtrimi zgjedhor, pengimi i zgjedhjeve, shkelja e lirisë së votimit, shkelja e fshehtësisë së votimit, shkatërrim i materialit zgjedhor, ryshfet gjatë zgjedhjeve e të tjera./ Alsat.mk
The post Rrethi i dytë i zgjedhjeve është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe të rregullt appeared first on Alsat.

                    