Në Maqedoninë e Veriut sot po mbahet rrethi i dytë i Zgjedhjeve Lokale 2025. Qytetarët do të zgjedhin kryetarë komunash në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, ndërsa në tre vendvotime në Shutkë (Shuto Orizare) do të ketë rivotime për këshilltarë.

Në komunat Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë, nuk do të votohet për kryetarë komunash, pasi procedura do të përsëritet brenda 60 ditëve pas përfundimit të zgjedhjeve.

Në rrethin e dytë votohet për kryetar komune në këto komuna:
Aerdrom, Bogovinë, Bërvenicë, Valandovë, Vinicë, Dibër, Debarcë, Demir Kapi, Karposh, Kërçovë, Konçe, Koçan, Krushevë, Kumanovë, Lozovë, Makedonska Kamenicë, Makedonski Brod, Mogillë, Negotinë, Probishtip, Rankovcë, Rosoman, Strugë, Studeniçan, Tetovë, Qendër, Çeshinovë-Obleshevë, Çuçer Sandevë, Shuto Orizare, Dollnen, Dojran dhe Zrnovcë.

Të drejtë vote në këtë rreth të dytë kanë 1.013.375 votues, nga të cilët 474.304 janë në Qytetin e Shkupit.

Në kryeqytet, në komunat Qendër, Aerdrom dhe Karposh, qytetarët do të marrin dy fletëvotime – një për kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe një për kryetarin e komunës. Në Shuto Orizare, në tri vendvotime do të votohet si për kryetar komune, ashtu edhe për këshilltarë.

Zgjedhjet do të vëzhgohen nga 1.598 vëzhgues, prej tyre 933 të huaj dhe 651 ndërkombëtarë.

Procesi i votimit fillon në orën 07:00 të mëngjesit dhe përfundon në orën 19:00. Nëse gjatë ditës ka ndërprerje ose radhë të gjata, votimi mund të zgjatet deri në tre orë me vendim të Komisionit Komunal ose të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).

Identifikimi i votuesve bëhet me letërnjoftim ose pasaportë të vlefshme, si dhe përmes pajisjeve biometrike (fingerprint).

Votimi është i fshehtë, bëhet pas paravanit me stilolaps blu, dhe është e ndaluar votimi në grup apo familjar, si edhe mbajtja e armëve në vendvotim.

Rezultatet e para priten gjatë mbrëmjes, ndërsa konferenca e fundit për shtyp e KSHZ-së pritet të mbahet rreth orës 23:00.

Në rrethin e dytë votohet për dy kandidatët që morën më shumë vota në rrethin e parë, ndërsa fitues shpallet ai që merr më shumë vota. Nëse as pas rrethit të dytë nuk zgjidhet kryetar, qeveria emëron komisar të përkohshëm deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Në rrethin e parë të 19 tetorit u zgjodhën 44 kryetarë komunash, ndërsa në Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë zgjedhjet do të përsëriten për shkak të mospërmbushjes së censit.

Këto janë zgjedhjet e teta lokale në vend, dhe të katërtat ku zgjidhen njëkohësisht kryetarë komunash dhe këshilla komunalë në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.

Në Zgjedhjet Lokale 2025 marrin pjesë gjithsej 22 parti, 19 koalicione dhe 119 kandidatura të pavarura./TV21