Të paktën gjashtë persona, mes tyre edhe një fëmijë dyvjeçar, humbën jetën pasi një avion i Marinës Ushtarake të Meksikës, i cili transportonte pacientë për trajtim mjekësor, u rrëzua pasditen e së hënës në ujërat e Gjirit të Galvestonit në Teksas, sipas autoriteteve amerikane.
Konsullata meksikane në Houston bëri të ditur se viktimat përfshijnë katër anëtarë të ekuipazhit, një pacient dhe një mjek. Një person tjetër konsiderohet i zhdukur dhe dyshohet se ka humbur jetën. Ndërkohë, një shoqërues i pacientit dhe një infermiere arritën të mbijetojnë nga aksidenti. Deri më tani janë gjetur pesë trupa, ndërsa kërkimet vazhdojnë në kushte të vështira për shkak të mjegullës së dendur.
Sipas sherifit të qarkut Galveston, avioni po transportonte pacientë me djegie të rënda. Në bord ndodheshin gjithsej tetë persona: katër anëtarë të Marinës meksikane dhe katër civilë, përfshirë të paktën një pacient të mitur. Informacioni u konfirmua edhe nga Marina e Meksikës përmes një deklarate zyrtare.
Në vendngjarje u angazhuan zhytës, dronë, mjete patrulluese dhe ekipe hetimore, ndërsa sinjali i parë për rrëzimin e avionit u mor rreth orës 3:17 pasdite, me orën lokale. Hetimet po kryhen nga autoritetet e Teksasit, Administrata Federale e Aviacionit (FAA) dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transporteve (NTSB), ndërsa shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta./vizionplus.tv
