Gazetare: Ajnur Bafqari

Konsumi i pijeve energjike në vend po shënon rritje nga viti në vit. Të dhënat e Drejtorisë së Doganave tregojnë se importi i këtyre pijeve është në rritje të vazhdueshme. Nëse gjatë gjithë vitit 2023 janë importuar gjithsej 9.5 milion litra, këtë vit, vetëm për nëntë muaj, janë importuar 9.9 milion litra. Në vitin 2024, konsumi ka shkuar në rreth 13 milion litra.

“Importi i përgjithshëm i pijeve energjike
Në vitin 2025 nga 01.01.2025 deri në 03.10.2025 : 9.994. 412 litra
Në vitin 2024 : 13.019.407 litra
Në vitin 2023: 9.529.520 litra”, thonë nga Drejtoria e Doganave.

Edhe përkundër faktit se janë të vetëdijshëm për pasojat që shkaktojnë këto pije, të rinjtë i konsumojnë në masë të pakontrolluar, madje pija është edhe më e popullarizuar te nxënësit e shkollave fillore. Mjeku Fikret Vishnic, tha se në ambulantë gjithnjë e më shpesh pranojnë pacientë të mitur, të cilët si pasojë e konsumit të tepërt të pijeve energjike, vijnë me shtrëngime në gjoks.

“Kemi pacientë, që më shpesh janë të mitur, më së shpeshti nxënës të shkollave të mesme, që konsumojnë, të themi sasi të madhe të pijeve energjike, të themi 3-4 kanaqe dhe ato janë shumë sasi e madhe që aspak nuk janë të rekomanduara, për shkak të sasisë së rritur të psikostimulantëve siç janë kafeina, taurina, kemi edhe rritje të sasisë së sheqerit në këto pije, që ndikojnë në sistemin kardiovaskular, në sistemin neurologjik, shkaktojnë insomni, taki kardi, shtrëngim në gjoks një ndjenë të pakëndshme që shkakton frikë te popullsia e re“, tha Fikret Vishnic, Mjek.

Përdorimi i pijeve energjike në afat të gjatë ka pasoja të shumta në të gjithë organizmin, veçanërisht luan rol të madh në dëmtimin e zemrës./Alsat.mk

The post Rritet dukshëm konsumi i pijeve energjike në vend appeared first on Alsat.