Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj rritjes së çmimeve të derivateve të naftës, duke e cilësuar situatën alarmante për buxhetet familjare dhe duke kërkuar masa urgjente nga Qeveria për të mbrojtur qytetarët dhe ekonominë. Sipas analizës së tyre, mosndërhyrja e Qeverisë po u kushton qytetarëve dhe bizneseve rreth 685 mijë euro në ditë, ndërsa familjet në Tetovë, Gostivar dhe Kumanovë paguajnë deri në 650 euro më shumë në vit si pasojë e shtrenjtimit të çmimeve.

Vetëm gjatë dy javëve të fundit, qytetarët kanë paguar mbi 10 milionë euro më shumë për derivate të naftës. Rritja e çmimeve prej 21 denarë për litër ka goditur drejtpërdrejt qytetarët që udhëtojnë drejt Shkupit.  Qytetarët e Tetovës: rreth 600 euro më shumë në vit/qytetarë,  qytetarët e Gostivarit: rreth 780 euro më shumë në vit/qytetarë, qytetarët e Kumanovës: rreth 579 euro më shumë në vit/qytetarë”, tha Imrane Veliu Aliu –BDI.

Me kritika ndaj Qeverisë doli edhe opozitarja LSDM, duke thënë se edhe krahas paralajmërimeve të kryeministrit për ulje të çmimeve të karburanteve ato u rritën për 7 denarë. Socialdemokratët paralajmërojnë se ky shtrenjtim do të shkaktojë  valë të re rritjesh në ushqim, produkte bazë dhe energji elektrike.

LSDM:

Vetëm për një javë, qytetarët paguan 3 milionë euro shtesë. Me rritjen e re, kjo shumë do të arrijë në 4,5 milionë euro në javë – që është goditje direkte ndaj buxheteve familjare dhe ekonomisë.

LSDM përgatiti një paketë zgjidhjesh ligjore që do t’i dorëzojë në Kuvend:

  • Ulje e TVSH-së për karburantet nga 18% në 5%
  • Ulje e akcizës për 4 denarë
  • 0% TVSH për produktet bazë ushqimore
  • Përgjysmim i çmimeve të pagesave rrugore

Të pyetur për këtë çështje, dje nga Qeveria na thanë se janë duke e ndjekur në mënyrë aktive gjendjen me çmimet e karburanteve dhe në periudhën e ardhshme, ndër opsionet që po shqyrtohen është edhe ulja e TVSH-së nga 18% në 10%, me qëllim mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve.