Maqedonia po shënon intensifikim të qarkullimit turistik dhe rritje të interesimit nga turistët e huaj nga vendet e Evropës Perëndimore, veçanërisht nga Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe, përcjell TV21. Kjo është konstatuar në analizën e Ministrisë së Kulturës për pesë muajt e parë të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Sipas analizës, veçanërisht dallohet Gjermania me një rritje prej 219% të numrit të turistëve dhe 146% të rritjes në netë-qëndrime. Franca shënon rritjen më të madhe me 398% më shumë turistë dhe 303% më shumë netë-qëndrime, duke u pozicionuar si një objektiv i ri strategjik i politikave turistike. Britania e Madhe gjithashtu shënon një rritje të konsiderueshme prej 204% në numrin e turistëve dhe 139% në netë-qëndrime.
Turqia, e cila ishte tregu kryesor në vitin 2024, vazhdon me rritje të qëndrueshme prej 11% në numrin e turistëve dhe 21% në netë-qëndrime, duke e ruajtur pozitën e parë sipas numrit të përgjithshëm të turistëve dhe netë-qëndrimeve.
