Parashikime optimiste nga guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski. Sipas asaj që deklaroi për revistën “Ekonomia dhe Biznesi”, Sllaveski pret që rritja ekonomike në vitin 2026 të jetë gati 4 për qind. Sipas tij, investimet publike në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, si dhe projektet infrastrukturore në nivel lokal, do të kenë rol të rëndësishëm në mbështetjen e rritjes ekonomike.

“Ekonomia vendore deri më tani tregon rezistencë relative ndaj rreziqeve globale dhe do të shënojë rimëkëmbje solide edhe në periudhën në vijim. Këto trende pozitive priten edhe këtë vit, së bashku me rimëkëmbjen graduale të ekonomive të partnerëve tanë më të rëndësishëm tregtarë, si dhe me realizimin e përshpejtuar të investimeve infrastrukturore në vend”, tha Trajko Sllaveski.

Parashikime optimiste ka edhe për inflacionin. Guvernatori pret që këtë vit inflacioni të ketë trend rënës dhe të arrijë mesataren historike prej 2 për qind.

“Inflacioni do të ndjekë një trajektore të përshtatjes rënëse dhe pritet që këtë vit të ulet në 2,5 për qind, pas së cilës gradualisht do të kthehet në mesataren e tij historike prej rreth 2 për qind”, deklaroi Trajko Sllaveski.

Disa ditë më parë, Mickoski deklaroi se inflacioni sillet rreth 4 për qind, por edhe ai pret që të bjerë.

“Mendoj se inflacioni vjetor do të sillet rreth 4 për qind, këtë e themi tashmë prej muajsh. Ajo që ne po bëjmë janë kontrolle më të shpeshta të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, si dhe kontrolle më të shpeshta të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës”, tha Hristijan Mickoski.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar, Banka Popullore projektoi se vitin 2025 do ta përfundojmë me inflacion vjetor rreth 3,9 për qind, ndërsa për vitin 2026 pritjet ishin që ai të qetësohet dhe të jetë diku rreth 2,5 për qind.