Gazetar: Bashkim Sulejmani

Rruga “146” në Tetovë po shembet në disa pika të gjatësisë së saj, ndërsa në disa vende ka dalë mbi sipërfaqe edhe gypi që furnizon lagjen me ujë të pijshëm. Banorët thonë se ka ardhur momenti i fundit që komuna t’i largojë pllakat e betonit dhe ta asfaltojë rrugën.

“Është rrezik për të gjithë banorët. Komuna duhet të bëjë diçka sa më shpejt, sepse jemi vazhdimisht në rrezik”, tha një banor.

“Gjendja e rrugës është shumë e keqe dhe duhet të përmirësohet, sepse jemi në vështirësi të mëdha. Gjatë dimrit situata është edhe më e rëndë, rruga rrëshqet, ndërsa në disa vende është shembur për shkak të reshjeve të shiut”, deklaroi një tjetër banor.

Nga Komuna e Tetovës thonë se ekipet tashmë janë në terren për të skanuar gjendjen, ndërsa premtojnë se gjatë kësaj vere rruga do të asfaltohet.

“Ekipet e Sektorit për veprimtari komunale dhe ndërmarrja e ujësjellësit kanë dalë në terren për të verifikuar gjendjen e rrugës. Për këtë rrugë komuna tashmë ka projekt dhe pritet që gjatë këtij viti të realizohet”, deklaroi Albion Alili, zëdhënës i Komunës së Tetovës.

“Shembja e kësaj rruge, përveç se ua pamundëson banorëve komunikimin me pjesën tjetër të qytetit, rrezikon që dhjetëra shtëpi të kësaj lagjeje të mbesin pa ujë të pijshëm, pasi në këtë pjesë ku është shembur rruga kalon edhe gypi kryesor i furnizimit me ujë”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar. /Alsat.mk

The post Rruga “146” në Tetovë është në gjendje shumë të keqe, banorët kërkojnë rindërtimin e shpejtë appeared first on Alsat.