Gazetar: Avni Tahiri
Nëpërmjet kësaj rruge me gropa, kalldrëmi të prishur dhe mungesë të kushteve elementare për qarkullim të sigurt, drejt Klinikës në Kozle, çdo ditë dërgohen fëmijë për trajtim mjekësor. Sfidë në vete janë kthesat dhe muret mbrojtës ku pas çdo shiu, dheu dhe gurët përfundojnë në rrugë.
“Rruga për në Kliniken e fëmijëve në Kozle vazhdon të mbetet në gjendje të mjerueshme. Qytetarët kërkojsnë zgjidhje të shpejtë pasi kjo rrugë frekuentohet kur behet fjalë për shëndetin e fëmijëve.” tha Avni Tahiri, gazetar.
”Rruga është me kalldrëme dhe mendoj se me ca ndërhyrje mund të rregullohet. Momentalisht nuk kemi zgjidhje tjetër dhe patjetër ta kalojmë këtë rrugë por shpresojmë që të bëhet më mirë.” tha një qytetar.
”Duhet që të asfaltohet ose të riparohet.” tha një qytetar.
“Si ishte gjendja e rrugës përpjetë? E tmerrshme.” tha një qytetar.
Sipas ndarjes komunale, rruga “Zagrebska”, e cila çon drejt spitalit të fëmijëve “Kozle”, është nën kompetencë të Komunës së Karposhit. Sipas komunës, për rikonstruimin janë ndarë fonde dhe pritet që së shpejti të nisin punimet por pa treguar se kur.
“Këtë vit janë paraparë punime infrastrukturore në këtë rrugë, për të cilat komuna ka ndarë mjete financiare në buxhet. Fillimisht, prioritet do të jetë muri mbajtës, ndërsa më pas në faza do të vijojë rinovimi i bordurave, trotuareve si dhe asfalt i ri i plotë në rrugë. Rikonstruksioni është paraparë të nisë në një të ardhme shumë të afërt.” thanë nga Komuna e Karposhit.
Sipas të dhënave, rikonstruksioni i rrugës që çon drejt Spitalit të Fëmijëve në Kozle, filloi në vitin 2011. Në atë periudhë u asfaltua një pjesë e rrugës dhe u ndërtuan trotuare të reja, ndërsa punimet u parashikuan të zhvilloheshin në tre faza. Megjithatë, edhe pas më shumë se një dekade, një pjesë e kësaj rruge vazhdon të mbetet me kalldrëm, gropa dhe infrastrukturë të dëmtuar, pavarësisht faktit se bëhet fjalë për një aks rrugor që përdoret çdo ditë nga ambulanca, prindër dhe fëmijë që drejtohen për trajtim në Klinikën e Kozles./Alsat.mk
The post Rruga drejt Klinikës në Kozle: 15 vite premtime, ende në gjendje të rëndë appeared first on Alsat.
