Gazetar: Zekirija Haxhiu
Objektet pa leje sidomos ato afariste, vazhdojnë të llogariten si problemi kryesor i komunave në tërë territorin e vendit. Nëse një objekt nuk rrënohet që në fillim dhe arrin të vihet në funksion, atëherë rrënimi i tij bëhet thuajse i pa mundur.
“Kalojnë muaj dhe vite e biznesi në objekte pa leje vazhdon. Për objektin ilegal që shihni prapa meje më shumë është folur se sa është vepruar. Institucionet luajnë ping-pong me kompetencat dhe assesi të ndërmarrin masa për rrëzimin e saj”, raporton Zekirija Haxhiu – Gazetar.
Objekti për të cilin po raportohet tanimë disa vite se është ndërtuar në mënyrë ilegale, organet kompetente nuk kanë ndërmarrë as edhe një hap drejt rrënimit të tij. Komuna Qendër dy herë u përpoq të rrënojë objektin në fjalë por aksionet dështuan. Herën e parë nuk u mbështet nga policia për asistencë, e herën e dytë, Inspektorati Shtetëror për Ndërtim dhe Urbanizëm i’a morri dokumentacionin komunës pas një gjoja ankese anonime dhe obligoi komunën që ta përsëritë gjithë procedurën.
Nga komuna Qendër e denoncuan inspektoratin në Gjykatën Administrative ndërsa nga Inspektorati u përgjigjën se komuna është dashur të përgatitë ankesë për procesverbalin. Komuna e bëri edhe këtë dhe janë në pritje. Pyetëm edhe një herë komunën Qendër për veprimet që i planifikojnë por nuk morëm përgjigje. Përgjigje nuk na dhanë as nga Inspektorati i Ndërtimit për atë se si qëndron situata dhe se cila do të jetë zgjidhja.
Në regjistrin e Kadastrës, objekti është ndërtuar në tokë që është në pronësi shtetërore. Në dokumente ekziston objekt i legalizuar prej 120m2 në emër të pronarit, Ahmed Dinarica por gjendja reale është krejtësisht ndryshe nga 120m2, përkatësisht objekti siç mund ta shihni është me përmasa më të mëdha dhe shumë më shumë metra katror.
Gjatë viteve 2022-2023 kur ishte aktualizuar verifikimi juridik-pronësor i objektit dhe autoritetet kishin ndërmarrë masa për rrënimin e tij, në kundërshtim të procedurave ligjore kishte vepruar ish Avokati i Shtetit, Fehmi Stafa duke ndërmarrë veprime që kishin bërë institucionet t’i kryqëzonin kompetencat dhe në pamundësi të rrënimit, objekti të mbetej i paprekshëm. Jo zyrtarisht, media të caktuara kishin raportuar se objekti në fjalë është pronë e vetë Stafës, por juridikisht nuk u dëshmua asnjëherë!
Përpos objektit në fjalë, 100 metra më poshtë ekziston edhe një tjetër objekt afarist gjithashtu ilegal. /Alsat.mk
The post Rruga e Plastikave në Shkup mban rekordin e objekteve pa leje appeared first on Alsat.
