Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se projekti për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë po ecën me hapa konkretë, përcjell TV21. Ai tha se punimet në anën kosovare tashmë janë në zhvillim, ndërsa në anën tjetër të malit, në Maqedoninë e Veriut, nisja e punimeve po afrohet. Kurti priti në kryeministri anëtarët e Grupit Punues ndërshtetëror dhe zëvendësministren e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri, për të diskutuar përparimin e projektit dhe për të ritheksuar mbështetjen e Qeverisë.

“Rruga aktuale është 113 kilometra përmes Prevallës e Glloboçicës. Me rrugën e re, Prizreni dhe Tetova do të jenë më pak se 50 kilometra larg. Mali që i ndan, do të ketë portën që i bashkon – tunelin 6.4 kilometra të gjatë”, shkroi Kurti. Sipas tij, kjo rrugë do të sjellë udhëtim më të shpejtë, më të sigurt dhe më të shpeshtë, duke forcuar lidhjet mes dy qyteteve dhe bashkëpunimin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.