Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka prezantuar fazat e radhës të strategjisë së Shteteve të Bashkuara ndaj Venezuelës, duke deklaruar se Uashingtoni synon të shesë naftën që ndodhet në vend dhe ta nxjerrë atë në tregun ndërkombëtar.
Sipas Rubios, të ardhurat nga shitja e naftës do të jenë nën kontrollin e SHBA-së dhe do të shpërndahen në një mënyrë që, siç tha ai, do të përfitojë populli i Venezuelës. “Ne kemi ndikim të madh për të ecur përpara në drejtim të stabilizimit”, u shpreh ai.
Kryediplomati amerikan e përshkroi fazën e dytë të strategjisë si fazë “rimëkëmbjeje”, e cila, sipas tij, do të përfshijë amnisti për figura të opozitës.
Më pas, do të pasojë një periudhë “tranzicioni”, theksoi Rubio, pa dhënë megjithatë detaje konkrete mbi mënyrën se si do të zbatohet kjo fazë.
Sipas tij, venezuelianët “e kuptojnë se mënyra e vetme për të vazhduar eksportin e naftës dhe për të siguruar të ardhura, pa u përballur me kolaps ekonomik, është bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara”. Rubio shtoi se regjimi nuk mund të shesë më naftë dhe të gjenerojë të ardhura pa miratimin e Uashingtonit, çka sipas tij i jep SHBA-së “ndikim dhe kontroll të jashtëzakonshëm”.
Ai deklaroi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara janë përpjekur disa herë të arrijnë një zgjidhje pa shkuar drejt arrestimit të presidentit Nicolas Maduro, por pranoi se këto përpjekje “fatkeqësisht nuk kanë dhënë rezultat”.
Në përfundim, Rubio theksoi se një president ka të drejtën të ndërmarrë veprime kur ekziston një kërcënim ndaj sigurisë kombëtare.
