Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleanca mbështet sovranitetin dhe integritetin e Bosnje e Hercegovinës, duke theksuar se nuk do të lejojë që paqja “e fituar me mund” në këtë shtet të vihet në rrezik. Në një konferencë për media në Sarajevë, pas takimit me anëtarët e Presidencës trepalëshe, Rutte tha se situata aktuale nuk është sikur më 1992, kur nisi lufta në Bosnje. Vizita e Ruttes u zhvillua në kohën kur autoritetet e Republikës Sërpska, duke kërcënuar me shkëputje, kanë tentuar të ndalojnë funksionimin e institucioneve shtetërore të drejtësisë dhe policisë në territorin e këtij entiteti.

Rutte tha se NATO-ja mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, që tha se është thelbi i paqes në Bosnje.

Ai tha se çdo veprim që e minon Dejtonin, rendin kushtetues dhe institucionet shtetërore, por edhe retorika nxitëse, “janë të papranueshme”.