Në TV21 sot transmetohet emisioni “Robin Hud”, që realizohet në bashkëpunim me kolegë gazetarë nga Kosova, Bosnje e Hecegovina, Mali i Zi dhe Serbia. Projekt në të cilin trajtojmë tema të cilat duhet të dëgjohen. Emisioni i sotëm transmetohet në ora 12:05, ku trajtojmë temën e sigurisë së gazetarëve gjatë raportimit. Naim Sadiku nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), thotë se raportet e fundit prestigjioze tregojnë se siguria e gazetareve në Kosovë gjatë raportimit ka shënuar rënie.

“Është një lloj pasigurie realisht për gazetarë, ambienti në Kosovë në të cilin bëhet gazetari, viteve të fundit fatkeqësisht ka shënuar degradim ose rënie edhe në vlerësimet e raporteve vendore e ndërkombëtare. Tri raporte të fundit që janë prestigjoze, të Departamentit Amerikan të Shtetit, të Freedom House e të Reporterëve pa kufij, pikërisht pra e kanë ranguar Kosovën shumë më keq sesa vitet e kaluara”, theksoi Sadiku.