
Deputetët miratuan ligjet e nevojshme që sistemi “Qytet i Sigurt” (Safe City) të funksionojë plotësisht: Ligjin për automjetet, për policinë, për ekzekutimin e sanksioneve dhe sigurinë në komunikacion, përcjell TV21. Mbetet të miratohen edhe ndryshimet në Ligjin për kundërvajtje, i cili ndodhet në lexim të dytë.
Gjithashtu, janë propozuar edhe ndryshime në Kodin Penal për t’u harmonizuar me paketën e ligjeve që lidhen me sistemin “Safe City”, shkruan Prizma.
Ndryshimet ligjore e rregullojnë në mënyrë të detajuar të gjithë procedurën – nga konstatimi i kundërvajtjes deri te shqiptimi i masave më të rënda, si dhe rregullojnë çështje të tjera shtesë.
Shoferët që tri herë do të marrin ndalim për drejtim automjeti, do të mbeten pa patentë shoferi. Për mosazhurnimin e numrit të telefonit dhe emailit në stacionin e kontrollit teknik parashikohet gjobë. Këto janë pjesë e ndryshimeve ligjore që lidhen me sistemin “Qytet i Sigurt”, i cili nga 1 shkurti pritet të funksionojë plotësisht.
Ajo që tashmë është e njohur për opinionin është se shkelësit e rregullave të komunikacionit do të marrin SMS në telefonin mobil dhe email me procesverbal dhe fotografi të kundërvajtjes. Ata do të kenë të drejtë ankese në gjykatë, ndërsa nëse gjobën e paguajnë brenda tetë ditëve, do të paguajnë vetëm gjysmën e shumës.
Nëse nuk i azhurnoni numrin dhe emailin – 100 euro gjobë
Sistemi i pikëve negative dhe evidencës në patentat e shoferëve, i cili deri tani nuk ishte i rregulluar plotësisht, me këto ndryshime ligjore plotësohet.
Nga 1 shkurti i vitit të ardhshëm, shoferi që brenda katër viteve tri herë merr ndalim të formës së prerë për drejtim automjeti të së njëjtës kategori, do të humbasë patentën e shoferit. Gjykata do t’ia konfiskojë patentën dhe shkelësi nuk do të ketë të drejtë të japë sërish provimin e vozitjes për të paktën një vit.
Pasi gjykata ta konfiskojë patentën, vendimi do t’i dërgohet Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa shoferi do të njoftohet me SMS ose email se patenta i pushon së vlefshmi pas tetë ditësh.
Ndalimi për drejtim automjeti që e shqipton gjykata mund të zgjasë nga një muaj deri në një vit, ndërsa të dhënat për masat e shqiptuara do të jenë të qasshme edhe për shërbimet kufitare.
Nëse ndalimi i shqiptohet një shtetasi të huaj me patentë të huaj, ai nuk do të lejohet të drejtojë automjet në territorin e vendit, ndërsa për këtë do të njoftohet edhe policia kufitare.
Ndryshime ligjore ka edhe në Ligjin për automjetet.
Çdo pronar automjeti, nëse ndryshon numrin e telefonit ose emailin, është i obliguar që brenda tre ditësh t’i azhurnojë këto të dhëna në stacionin e kontrollit teknik. Mosrespektimi i kësaj detyre do të sanksionohet me gjobë prej 100 eurosh, ndërsa parashikohen sanksione edhe për kompanitë, në varësi të madhësisë së tyre.
Sipas Ligjit për sigurinë e komunikacionit në rrugë, futet tolerancë gjatë matjes së shpejtësisë, ku nga vlera e matur do të zbritet detyrimisht margjina e gabimit të pajisjes matëse. Margjina e gabimit nuk është specifikuar.
Ndalohet drejtimi i automjetit nën ndikimin e drogave narkotike dhe substancave psikotrope, ndërsa rregullat e reja ligjore sjellin edhe obligime shtesë për auto-shkollat – kandidatët për ligjërues, instruktorë, kontrollorë dhe kontrollor të rregullave të komunikacionit duhet të japin provim profesional para komisionit të MPB-së.
Ligji i precizon edhe zonat me komunikacion të qetë, duke futur “zonën shkollë” dhe “zonën 30”.
Ndryshime ka edhe në Ligjin për ekzekutimin e sanksioneve dhe në Ligjin për Policinë.
Gjykata do ta konfiskojë automjetin
Ndryshimet e reja ligjore nuk ndalen vetëm te kundërvajtjet, por parashikohen edhe ndryshime në Kodin Penal, të cilat ende duhet të shqyrtohen.
Sipas këtyre ndryshimeve, për vepra të rënda penale në komunikacion, gjykata do të jetë e obliguar të shqiptojë ndalim për drejtim automjeti nga gjashtë muaj deri në dhjetë vjet. Ndryshe nga më parë, kjo nuk do të jetë më mundësi, por detyrim për gjykatën.
Për më tepër, Kodi Penal i jep mundësi gjykatës ta konfiskojë edhe automjetin e shkelësit nëse ka kryer vepra penale si “rrezikim i sigurisë në komunikacion”, “drejtim i pakujdesshëm i automjetit motorik” dhe “vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion”, përkatësisht nëse shkelësi ka vozitur me shpejtësi më të madhe se e lejuara për së paku 70 km/orë në zonë të banuar ose për së paku 90 km/orë jashtë zonës së banuar.
Kusht për konfiskimin e automjetit është që shkelësi të ketë qenë më parë i dënuar për vepra penale kundër sigurisë së komunikacionit publik.
Ndryshimet në Kodin Penal parashikojnë gjithashtu se pjesëmarrësi në komunikacion që vozit me përqendrim të alkoolit në gjak mbi 1,5 promilë, nën ndikimin e drogave, substancave psikotrope ose prekursorëve, që vozit në drejtim të kundërt, parakalon kolonë automjetesh në vend të papërshtatshëm ose tejkalon ndjeshëm shpejtësinë e lejuar, do të dënohet me burg nga 3 muaj deri në 3 vjet, si dhe me gjobë.
Me të njëjtin dënim do të ndëshkohet edhe kush organizon, merr pjesë ose mundëson gara të ndaluara me automjete, si dhe kush drejton automjet motorik pa provim të dhënë të vozitjes ose pa patentë të vlefshme shoferi.
