“Safe City” nuk fal shkeljet jashtë detyrës, Toshkovski: Edhe automjetet zyrtare do të gjobiten

Tejkalimet, përkatësisht toleranca e kamerave të sistemit “Qyteti i Sigurt” (Safe City), do të jenë identike me ato që tashmë zbatohen nga radarët e tjerë policorë. Kjo do të thotë tolerancë prej 6 kilometra në orë për shpejtësi deri në 100 km/orë, 8 kilometra në orë për shpejtësi mbi 100 km/orë dhe 12 kilometra në orë për shpejtësi mbi 200 km/orë, njoftoi sonte ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

Ministri Toshkovski sqaroi se toleranca e përmendur vlen ekskluzivisht për kundërvajtje në komunikacion, por nuk aplikohet në rastet kur kryhet vepër penale e lidhur me trafikun.

Sistemi “Safe City” do t’i përpunojë edhe automjetet zyrtare në rastet kur ato nuk veprojnë në kuadër të veprimeve operative të arsyetuara.

“Kur automjetet zyrtare veprojnë në kuadër të angazhimit të tyre operativ, ato nuk do të përfshihen. Kur nuk veprojnë, do të përfshihen. Kjo do të thotë se çdo automjet i ndihmës së shpejtë, zjarrfikësve, MPB-së, Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë kryerjes së detyrave zyrtare nuk do të jetë pjesë e sistemit, nëse kjo justifikohet sipas qëllimit të veprimit të tyre brenda detyrës zyrtare. Por nëse veprimet e tyre zyrtare nuk e justifikojnë shpejtësinë e lartë, sigurisht që do të ndëshkohen. Sistemi do të shqiptojë gjobë vetëm nëse bëhet fjalë për drejtim të parregullt të automjetit motorik jashtë nevojave reale të institucioneve”, deklaroi ministri Toshkovski.

Sipas tij, nëse nuk ka arsye të arsyetuar për vozitje të shpejtë, gjobat do të vlejnë edhe për automjetet zyrtare.

“Kur një automjet zyrtar përdoret në kuadër të veprimeve operative, atëherë ai nuk mund të trajtohet sipas respektimit strikt të rregullave të komunikacionit në kuadër të sistemit Safe City. Por kur një automjet zyrtar, për shembull nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar, siç pati një rast që qarkulloi në media, drejtohet nga kushdo qoftë, ai duhet t’i respektojë rregullat e komunikacionit, sepse përdorimi i tij nuk është në përputhje me rregullat e posaçme të përcaktuara nga MPB-ja apo nga legjislacioni”, shtoi Toshkovski.

Tema “Safe City” hapi gjithashtu një debat më të gjerë mbi sfidat ligjore dhe praktike, mbi efikasitetin e sistemit dhe mbi dilemat nëse kjo masë është para së gjithash e natyrës së sigurisë apo fiskale, çështje që do të mbeten në fokusin e opinionit publik edhe në periudhën në vijim.