Pas dorëheqjes së Zeqirija Ibrahimit nga posti si kryetar i Alternativës, me partinë do të udhëheqë Bekim Sali, ku ky i fundit u bëri thirrje anëtarëve të partisë ë tij dhe VLEN-it që të qëndrojnë të bashkuar, që siç tha, puna që kanë nisur duhet të vazhdojë me energji dhe vullnet, përcjell TV21.

E për Zeqirija Ibrahimin, Sali tha se do të mbetet gjithmonë mësuesi dhe udhëzuesi, ndërkohë e falënderoi për kontributin

“Të nderuar anëtarë të Alternativës dhe të VLEN-it,

Ky është momenti ynë i përbashkët.

Ju ftoj të gjithë të qëndrojmë të bashkuar, të vendosur dhe me bindje të thellë se puna që kemi nisur duhet të vazhdojë me energji të re dhe me vullnet të përbashkët.

Suksesi ynë do të varet nga pjekuria, uniteti dhe guximi ynë për t’i shërbyer qytetarëve me respekt dhe transparencë.

Profesor Zeqirija, ju falënderoj nga zemra për besimin, për përkrahjen dhe për miqësinë tonë prej tri dekadash. Do të kem nevojë për mençurinë dhe përvojën tuaj, ashtu siç e ka pasur deri sot Alternativa dhe gjithë skena jonë politike. Për mençurinë tuaj, për përvojën, për qetësinë tuaj politike dhe për vizionin që keni dëshmuar në çdo sfidë. Roli i juaj nuk përfundon këtu ai vetëm po ndryshon formë. Profesori dhe miku im do të mbetet busull morale dhe mendje strategjike për proceset që vijnë. Profesori do të mbetet gjithmonë mësuesi dhe udhëzuesi ynë”, tha Sali.