Kryetari i Alternativës insiston se zgjedhja e kryetarit të VLEN me rotacion është opsioni më i barabartë për të gjithë faktorët brenda koalicionit. Ai në TVM2 shtoi se më me rendësi është modeli të cilin do ta zgjedhin për të funksionuar se sa emri i atij që do të zgjidhet kryetar.

“E dini se ne kemi propozuar modelin me rotacion. I cili do të ishte përsëri gjithëpërfshirës, i barabartë për të gjithë faktorët të cilët e përbëjnë VLEN-in. Mirëpo, do të shohim a do të jetë model i kapur nga të gjithë aktorët brenda VLEN-it”, tha Bekim Sali.

Nga VLEN për TV21 thonë se debati për mënyrën e organizimit dhe përfaqësimit të ardhshëm vazhdon, me synimin që së shpejti të ketë një VLEN më të konsoliduar dhe me lidership më të përqendruar.

“Tema e ditëve të fundit për modalitetet e funksionimit të ardhshëm të VLEN-it është një debat që vazhdon, duke i përzgjedhur mënyrat më të mira të organizimit dhe të përfaqësimit. Në këtë frymë kjo do të vazhdojë edhe ditët në vijim. Ne jemi optimistë se së shpejti do të kemi një VLEN edhe më të konsolidur dhe me lidership më të përqendruar seç është sot. Se cila do të jetë kjo zgjidhje, në interes të vetë procesit, nuk është mirë të paragjykojmë”, thotë VLEN.

Nga VLEN thonë se janë shumë  afër shkrirjes në një parti të vetme. A do të pajtohen të gjithë aktorët brenda koalicionit që Mexhiti dhe Kasami të jenë bashkëkryetarë mbetet të shihet ditëve në vijim.