Kanë kaluar 15 vite që kur është ndërtuar dhe ende po flitet për sallën e sportit në oborrin e shkollës fillore “Rexhë Rushit Zajazi”. Salla është e ndërtuar në vitin 2009/2010, është e rregulluar por e mbyllur për gati 2 dekada dhe askush nuk i del zot këtij ndërtimi.
“Vitet kalojnë, qeveritë ndryshojnë por salla në Zajaz mbetet një enigmë, nuk është e hapur qëndron e mbyllur dhe është një labirint në vete. TV21 ka realizuar mbi 10 kronika në 5 vitet e fundit, mbi 100 telefonata me zyrtarë dhe ish-zyrtarë për të parë se si është situata, por gjithmonë topi hidhet sa andej e sa këndej dhe pa rezultate. Në këto vite ne kemi mësuar se salla nuk posedon dokumente, sidomos për fazën e dytë të ndërtimit dhe nuk është bërë as pranim dorëzimi nga ndonjë mbikëqyrës dhe më e keqja salla nuk figuron as në kadastër se ekziston si objekt në shkollën fillore “Rexhë Rushit Zajazi”, raporton gazetarja e TV21 Salije Sadiku Pinjolli.
Përbërja e re e Këshillit e ngriti serish këtë çështje në mbledhjen e miratimit të buxhetit.
Edhe pse informacionet e TV21 në biseda me ish zyrtarë të ish-Komunës së Zajazit thonë se dokumentet janë në Komunë, por nga Komuna e Kërçovës e mohojnë kategorikisht pasjen e ndonjë dokumenti për këtë sallë. Ata thonë se salla nuk ekziston as në kadastër dhe nuk posedojnë asnjë dokument.
TV21 ka mësuar se pjesën e parë e ka ndërtuar nga Kompania Kartel e Gostivarit, ndërsa pjesa e dytë nga një kompani e Kërçovës. Prej 15 vitesh që kur është ndërtuar askush nuk ka shkelur aty dhe është e pa përdorshme.
“Ne do t’i qëndrojmë pas deri sa të zbardhet rasti me këtë sallë, kush e ndërtoi? Si e ndërtoi? Pse e ndërtoi dhe pse po qëndron e mbyllur për kaq vite!”, raporton gazetarja e TV21 Salije Sadiku Pinjolli.
