Kancelari gjerman Friedrich Merz bëri thirrje për përshpejtimin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke siguruar mbështetjen e Gjermanisë për këtë proces. Ai theksoi se vendet e rajonit duhet të zbatojnë reforma shtesë dhe të tregojnë vullnet politik për të përparuar drejt BE-së. Merz përmendi gjithashtu nismën e Gjermanisë dhe Francës për përshpejtimin e integrimit, e cila parasheh mundësi për qasje më të hershme në tregun e përbashkët evropian dhe pjesëmarrje në disa institucione të BE-së.
Kancelari austriak, Christian Stocker, theksoi se çështjet dypalëshe nuk duhet ta pengojnë procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Ai bëri thirrje për integrim gradual të rajonit në tregun e përbashkët evropian dhe për përfshirjen e tij në zonën evropiane të roamingut. Stocker njoftoi se Austria do të marrë kryesimin e Procesit të Berlinit në vitin 2027, me fokus te të rinjtë, pajtimi dhe bashkëpunimi rajonal.
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, deklaroi se vendi synon t’i përfundojë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2026, me qëllim që të bëhet anëtari i 28-të i BE-së deri në vitin 2028. Ai theksoi se gjatë kryesimit të Procesit të Berlinit, Mali i Zi realizoi 26 aktivitete, duke vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili udhëheq delegacionin e Maqedonisë së Veriut, deklaroi se pret mesazhe të fuqishme dhe rezultate konkrete nga ky samit. Ai theksoi përkushtimin e plotë të qeverisë ndaj agjendës së reformave dhe nënvizoi nevojën e gjetjes së zgjidhjeve për sfidat globale si konfliktet ndërkombëtare dhe kriza financiare.
Samiti, që po mbahet në Budva, është pjesë e Procesit të Berlinit, nismë e nisur në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, me qëllim nxitjen e integrimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Në qershor, Gjermania dhe Franca nisën një nismë të re për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit.
