Samsung Electronics, Hyundai Motor dhe prodhues të tjerë të mëdhenj të Koresë së Jugut ka njoftuar të dielën planet e investimeve të brendshme, pasi një marrëveshje tregtare me SHBA- në ngriti shqetësime se investimet në Amerikë mund të dobësojnë prodhimin në vend, raportoi Reuters.
Samsung Electronics do të shtojë një linjë prodhimi çipash në fabrikën e saj në qytetin koreano-jugor Pyeongtaek për të përmbushur kërkesën në rritje pas “shpërthimit” global të inteligjencës artificiale.
Njoftimi i Samsungut u dha derisa presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, zhvilloi një takim të dielën me udhëheqësit e biznesit të këtij vendi, pasi një marrëveshje tregtare me SHBA-në, përfshirë një premtim të Koresë së Jugut për të investuar 350 miliardë dollarë në sektorët strategjikë të SHBA-së, u finalizua të premten.
“Ekzistojnë shqetësime se investimet vendase mund të tkurren teksa investimet me destinacion SHBA-në forcohen”, tha Lee në takim, derisa u kërkoi kompanive të merrnin më shumë në konsideratë investimet vendase.
Presidenti u kërkoi kompanive edhe të konsultohen me qeverinë për të shfrytëzuar sa më mirë paketën e investimeve prej 350 miliardë dollarësh për investimet e tyre jashtë shtetit.
“Samsungu do të rrisë investimet vendase, do të krijojë vende pune cilësore për të rinjtë dhe do të bëjë edhe më shumë përpjekje për rezultat të favorshëm me kompanitë e vogla dhe të mesme, si dhe me sipërmarrje të reja”, është shprehur Lee.

