
Një 25-vjeçare nga Gjakova mbrëmë ka vdekur në Tetovë të Maqedonisë së Veriut.
Viktima është S. D., e cila ishte studente e nivelit master, ndërsa ende mbeten të paqarta rrethanat e vdekjes së saj.
Prokuroria Themelore në Tetovë ka dalë sot me një njoftim për rastin e kosovares ku thuhet se të dhënat e para nuk japin indikacione për vepër penale.
Nga kjo prokurori kanë njoftuar poashtu se janë intensifikuar hetimet dhe do të ndërmerren të gjitha masat deri në zbardhjen e plotë të rastit.
“Prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike në Tetovë dje ka kryer ekspertizë në vendin ku është gjetur trupi i pajetë i një gruaje të re, si edhe në banesën me qira ku ajo kishte qëndruar. Po ndërmerren të gjitha veprimet për të hetuar shkaqet e vdekjes me kontrolle dhe ekspertiza të detajuara në vendngjarje, ndonëse të dhënat fillestare dhe gjurmët në terren nuk tregojnë se bëhet fjalë për vdekje si pasojë e një vepre penale. Megjithatë, është urdhëruar obduksioni, do të merren në pyetje disa persona, ndërsa prokuroria dhe të gjitha organet hetimore po veprojnë intensivisht për të sqaruar shkaqet”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, shkruan Alsat-M, transmeton Klankosova.tv.

