Në 16-vjetorin e themelimit, Klinika “Axhibadem Sistina”, nis një epokë të re në trajtimin kirurgjikal të pacientëve. Me blerjen e sistemit më modern robotik Toumai™, “Axhibadem Sistina” së shpejti do të aplikojë kirurgjinë robotike, duke u bërë qendra e parë dhe e vetme për kirurgji robotike në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri, që do të mundësojë ndërhyrje të këtij lloji. Ky hap i rëndësishëm u ofron pacientëve kirurgji minimale invazive jashtëzakonisht precize, me një numër të madh përfitimesh në trajtimin e përgjithshëm.
Toumai™ është një robot endoskopik kirurgjikal i zhvilluar nga lideri teknologjik botëror Shanghai MicroPort MedBot, që siguron saktësi, stabilitet dhe siguri të jashtëzakonshme gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale. Kirurgjia robotike në “Axhibadem Sistina” do të përdoret në disa fusha mjekësore: kirurgji digjestive, torakale, urologji, gjinekologji, si dhe kirurgji pediatrike. Aktualisht po zhvillohet edukim dhe trajnim i vazhdueshëm për një numër të madh kirurgësh të spitalit.

“Falë vizualizimit tredimensional HD, saktësisë së shtuar dhe fleksibilitetit të instrumenteve që tejkalojnë mundësitë e dorës njerëzore, teknologjia robotike mundëson diseksion jashtëzakonisht preciz dhe ruajtjen e strukturave vitale. Aplikimi i kirurgjisë robotike është një përparim i madh si për pacientët ashtu edhe për ekipin kirurgjikal. Për pacientët kjo do të thotë operacione më të sigurta, më pak dhimbje dhe rikthim më të shpejtë në aktivitetet e përditshme, ndërsa për mjekët kjo teknologji ofron më shumë saktësi, kontroll më të mirë dhe kryerje të ndërhyrjeve komplekse me rrezik minimal”, deklaroi prof. dr. Sotir Stavridis, urolog.
Me blerjen e robotit kirurgjikal, spitali do të mundësojë kirurgji minimale invazive edhe për pacientët pediatrikë, përfshirë edhe të porsalindurit. Ndërhyrjet do të kryhen nga ekipi i kirurgëve pediatrikë i udhëhequr nga doc. dr. Risto Simeonov, kirurg pediatrik, i cili shprehet se për të është një sfidë dhe nder i madh që “Axhibadem Sistina” do të ofrojë kirurgji të avancuar edhe për pacientët më të vegjël.

SAKTËSI E JASHTËZAKONSHME DHE TEKNOLOGJI E AVANCUAR
Sistemi Toumai™ është i pajisur me një 3D Videoscope me rezolucion të lartë, që ofron pamje të qartë dhe natyrale tredimensionale me panoramë deri në 100 gradë. Pamja mund të zmadhohet deri në 70 herë, duke u mundësuar kirurgëve një paraqitje të detajuar dhe realiste të enëve më të vogla të gjakut, strukturave dhe nervave. Sistemi optik i robotit përdor edhe teknologji infra të kuqe, që mundëson shënimin e saktë të qelizave tumorale gjatë operacionit. Instrumentet robotike lëvizin në të gjitha boshtet dhe rrafshet e hapësirës, duke imituar plotësisht lëvizjet e dorës njerëzore, por me saktësi mikroskopike. Për më tepër, sistemi eliminon dridhjen natyrale të dorës dhe siguron ergonomi të përmirësuar për kirurgun, gjë që kontribuon në stabilitet më të madh, lodhje më të vogël gjatë ndërhyrjeve të gjata dhe një nivel edhe më të lartë sigurie në kryerjen e operacioneve komplekse.
Me aplikimin e sistemit robotik Toumai™, Klinika “Axhibadem Sistina” e forcon më tej pozicionin e saj si lider në prezantimin e teknologjive më moderne mjekësore në rajon, duke u ofruar pacientëve kujdes shëndetësor sipas standardeve më të larta botërore.

The post Së shpejti: Kirurgji robotike në “Axhibaedem Sistina” appeared first on Alsat.