Sistemi “Qyteti i Sigurt” së shpejti do të marrë një funksionalitet të ri, përmes të cilit automatikisht do të mund të zbulojë motoçiklistët që drejtojnë pa kokore mbrojtëse, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

Nga MPB-ja informojnë se sistemi edhe tani regjistron shkeljet në trafik të kryera nga motoçiklistët, ndërsa me përditësimin e ardhshëm, përmes përdorimit të inteligjencës artificiale, do të mund të dallojë edhe nëse drejtuesi mban helmetë (kokore).

Risia u bë e ditur gjatë vizitës së Toshkovskit në festivalin “Moto Ilinden Urban Drive” në Shkup, një ngjarje kushtuar sigurisë së motoçiklistëve dhe përdorimit të duhur të pajisjeve mbrojtëse.

“Qyteti i Sigurt” zyrtarisht filloi të funksionojë në shkurt të këtij viti. Vetëm gjatë muajit të parë u regjistruan më shumë se 19 mijë shkelje në trafik, shumica e të cilave kishin të bënin me tejkalimin e shpejtësisë së lejuar.

Sistemi aktualisht zbulon edhe kalimin në semafor të kuq, si dhe drejtimin e automjetit me leje qarkullimi të skaduar.

Sipas të dhënave të MPB-së, gjatë muajve të parë të këtij viti në aksidente trafiku kanë humbur jetën 33 persona më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, që paraqet një ulje prej rreth 30 për qind. Numri i të lënduarve, ndërkaq, është ulur për rreth 19 për qind.

Me përditësimet e ardhshme pritet që “Qyteti i Sigurt” të mund të identifikojë automatikisht edhe lloje të tjera të shkeljeve në trafik.

Për momentin nuk është bërë e ditur se kur saktësisht do të nisë zbatimi i sanksionimit automatik të motoçiklistëve që drejtojnë pa helmetë.