Gazetar: Avni Tahiri
Një nëpunës nga Stacioni Policor Bit Pazar u arrestua së bashku me një tjetër person, pasi u kapën duke transportuar mjete piroteknike pa dokumentacion. Automjeti u kap në pikë pagesën rrugore në Gradsko. Hetimet e mëtejme çuan në bastisjen e magazinave të një personi juridik nga Shkupi, ku sipas informacioneve të para të MPB-së, u sekuestruan mbi 25 tonë mjete piroteknike. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, konfirmoi se behet fjalë për sasinë më të madhe të mjeteve piroteknike të sekuestruar deri tani.
“Parashikimi fillestar ishte se behej fjalë për 25 tonë mjete piroteknike por sipas informatave të fundit që mora, behët fjalë për rreth 35 tonë mjete piroteknike dhe kjo është provë se si MPB-ja, në mënyrë të vendosur hyri në luftë me krimin e organizuar pasi sipas informatave që kemi, sepse sipas informatave që kemi, këto lloj porosish gjatë viteve të kaluara kanë qenë të zbatuara, dhe këto kanë qenë ndoshta hyrësit më të mëdhenj të kësi lloj mjetesh të paligjshëm në shtet”, tha Pançe Toshkovski – Ministër i Punëve të Brendshme.
Mjeti transportues i tipit “Peugeot Boxer” me targa të Strugës drejtohej nga 41 vjeçari N.R, ndërsa në makinë ishte edhe I.R. gjithashtu 41 vjeçar, nëpunës policor në Stacionin Policor në Bit Pazar. Sipas MPB-së, ndaj të përfshirëve do të ngrihen kallëzime penale. Toshkovski tha se aksionet kundër përdorimit të mjeteve piroteknike do të vazhdojnë si para ashtu edhe pas festave të fund vitit./ Alsat.mk
The post Sekuestrohen 35 tonë mjete piroteknike appeared first on Alsat.
