Reagime të shumta politike u zgjuan për rishikimin e projektit për segmentin Trebenishtë – Qafë Thanë. Kreu i Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela tha se devijimi i kësaj autostrade gjoja me rekomandime të UNESCO-s, nuk cenon ambientin natyror as trashëgiminë kulturore, por sipas tij është vazhdimësi e një politikëbërje që Ohrin ta lidhin me Manstirin dhe Prilepin, ndërsa të pezullojnë projektin që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi, një infrastrukturë strategjike e NATO-s por edhe e vendit për zhvillim ekonomik.
“Është mentalitet dhe logjikë e Nikolla Gruevskit dhe kjo që po ndodh sot s’është asgjë tjetër përveç një vazhdimësie e këtij mentaliteti dhe logjike! Asokohe Nikolla Gruevski me BDI dhe sot Mickoski vazhdon me të njëjtën mendësi politike për të devijuar një korridor kaq të rëndësishëm”, tha Zijadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Nga BDI thonë se vendimi i qeverisë për të mos vazhduar projektin e autostradës Strugë–Qafë Thanë, duke u fshehur pas “kërkesave të UNESCO-s”, sipas tyre është një arsyetim i papranueshëm dhe një shmangie e qëllimshme e përgjegjësisë. Nga BDI kumtojnë se UNESCO është justifikimi që po përdoret për të maskuar një vendim politik për ndërprerjen e një korridori strategjik.
“Problemi nuk është teknik. Është politik. Vlen është pjesë e qeverisë dhe mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Në një projekt që prek drejtpërdrejt lidhjen me Shqipërinë dhe interesin e shqiptarëve, nuk ka pasur as qëndrim, as kundërshtim, as reagim. Të përdorësh UNESCO-n si mbulesë për ndërprerjen e lidhjeve strategjike është e papranueshme. Të jesh në qeveri dhe ta pranosh këtë pa fjalë, është tradhti politike”, thonë nga BDI.
Nga koalicioni VLEN, Korridorin 8 e konsiderojnë si një projekt me rëndësi të veçantë strategjike për vendin dhe rajonin. Sipas tyre, punimet po zhvillohen me progres të dukshëm në ato segmente ku janë përmbushur kushtet ligjore dhe teknike.
“Sa i përket segmentit Trebenishtë – Qafë Thanë, duhet thënë se në fazën fillestare të projektimit nuk është marrë mendim nga UNESCO, pavarësisht ndjeshmërisë së zonës. Institucionet po punojnë në koordinim me UNESCO-n për të gjetur zgjidhjen më të përshtatshme, pa rrezikuar standardet ndërkombëtare dhe statusin e vendit. Lidhja Strugë – Qafë Thanë do të realizohet, si pjesë e përkushtimit tonë për lidhje të plotë infrastrukturore me Shqipërinë”, thonë nga VLEN.
Nga VMRO DPMNE thanë se ndryshimi i projektit në atë segment është si pasojë e mos marrjes së mendimit nga UNESCO nga pushteti i kaluar i LSDM-së dhe BDI-së, ku sipas tyre thonë që u bënë shumë lëshime.
