“Në Qeveri nuk hyhet për të marrë ministra, por për të realizuar pika programore të premtuara”, kështu u përgjigj Ziadin Sela zërave për përfshirjen e tij në Qeveri. Ai, në një intervistë për Pollogu.News, tha se është i interesuar për tre çështje kryesore.
“Jemi të interesuar të diskutojmë për disa tema siç janë ndryshimet kushtetuese, heqja e 20%, badenteri dhe gjykatën kushtetuese për shkak të pengimit një herë e përgjithmonë të majorizimit që kishte për tendence me marrëveshjen e Ohrit që të pengohet nëpërmjet parimit të Badenterit, por sot e pamë që me veprimet e fundit që bëri gjykata kushtetuese me balancuesi dhe tendenca për abroguar disa nene të ligjit për përdorimin e gjuhës u pa që nuk është kompletuar ideja e pengimit të majorizimit”, deklaroi Ziadin Sela – kryetar i ASH-së.
Nga VLEN disa herë kanë deklaruar se dera është e hapur për Selën, megjithatë nuk ka pasur bisedime konkrete. Deputetja Mimoza Musa konfirmoi se nuk ka asnjë diskutim për përfshirjen e partive të tjera në VLEN.
A ka diskutime me z.Sela?
Jo, në dijeninë time jo, nuk kemi asnjë diskutim për përfshirjen e partive tjera në në VLEN. Pas 9 majit do të shohim, jemi të hapur për çdo individ që do të kontribuojë”, u shpreh Mimoza Musa nga VLEN.
Përfshirja e Ziadin Selës në Qeveri është përmendur disa herë pas zgjedhjeve lokale të vitit 2025, por çdo herë është përgënjeshtruar nga vetë ai. Sela gjithashtu tha se asnjë vendim nuk do të merret deri në mbajtjen e Kongresit të partisë, i cili pritet të mbahet në fund të muajit maj.
