“Propozimin që z. Ziadin Sela të jetë kryetar i Lidhjes Shqiptare kam nderin ta vë në votim. Kush është për?
Ta shohim a ka dikush kundër!
Dmth me 713 vota për aq sa jemi të gjithë delegatët sot në mënyrë unanime z. Ziadin Sela tashmë është kryetar i Lidhjes Shqiptare. Suksese kryetar, fjala për ju”.
Ziadin Sela sërish u zgjodh lider partie. Nga sot Aleanca për shqiptarët të cilën e udhëhiqte ai, shndërrohet në Lidhja Shqiptare. Me moton “Lidhja është gjallë” ky subjekt mbajti kongresin e 5-të të tij.
Në fjalimin e tij solemn pas zgjedhjes si kryetar Sela tha:
“Dikush mund të mendoj që ja kam marr dorën se shpesh jam hyp në këtë skenë, por nuk është ashtu. Cdoherë hypet me emocione, cdoherë vihet në këtë skenë me përgjegjësi jo vetëm para anëtarësisë, jo vetëm përpara delegatëve, atë përgjegjësi ne si Aleancë për shqiptarët më herët e sot si Lidhja shqiptare e kemi përpara gjeneratave që do të trashëgojnë vendimet që ne sot i sjellim”, tha Zadin Sela.
Në vazhdim të fjalimit Sela çoi mesazh edhe për zërat se partia e tij mund të bëhet pjesë e Qeverisë.
“Dyer e turpit kurrë nuk mbyllen. Ajo derë është derë turpi. Në atë derë Lidhja Shqiptare, deputetët e saj nuk hyjnë. LSH dhe trashëgimia e saj ASH dinë të dalin prej atyre dyerve siç e ka dëshmuar në të kaluarën. Sepse siç është thënë kur kemi dalë: Jemi koka që ngrihemi mbi qafën tonë dhe jo mbi qafët e huaja dhe nuk përulemi lehtë”, deklaroi Sela.
Kongresi miratoi platformën politike të Lidhjes shqiptare dhe disa rezoluta të dala nga kjo parti.
Paraprakisht fjalim mbajti edhe deputetja e kësaj parti Ilire Dauti e cila tha se politika karakterizon dy kategori njerëzish, që sipas saj, në të parën bëjnë pjesë ata që benefitet i marrin për vete dhe në të dytën, ata që “gërvishtën dhe shpojnë duart e tyre për larguar gjembat nga rruga për gjeneratat e reja”.
