Selami kundër ndryshimeve për administratën: Vlerësimi mund të përdoret për presion politik dhe largime nga puna
Abdulselam Selami, këshilltar i BDI-së në Qytetin e Shkupit, është shprehur kundër ndryshimeve të Ligjit për Nëpunësit Administrativë, duke paralajmëruar rrezikun e keqpërdorimit politik të vlerësimit të punonjësve.
Në një postim në rrjetet sociale, Selami kundërshton dispozitën që, sipas tij, parashikon humbjen e vendit të punës për nëpunësit që marrin vlerësimin “1 – e pamjaftueshme” për dy vite radhazi.
Ai vlerëson se ky mekanizëm mund të shndërrohet në mjet presioni, kërcënimi dhe shantazhi ndaj administratës publike.
“Çdo pushtet, sot apo nesër, mund ta keqpërdorë këtë dispozitë për të larguar nga puna nëpunësit që mendojnë ndryshe”, shkruan Selami.
Sipas tij, të rrezikuar mund të jenë edhe punonjësit që nuk pranojnë ndikimin politik apo refuzojnë të veprojnë në kundërshtim me ligjin. Selami e lidh kundërshtimin e tij me nevojën për mbrojtjen e nëpunësve nga ndërhyrjet politike në ushtrimin e detyrës.
